Partitë opozitare në vend po vlerësojnë se partia në pushtet është duke larguar njerëzit nga administrata publike për t’i punësuar të afërmit e tyre. Sipas tyre me këtë Qeveri ka marrë formë “nepotizmi”.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, tha se nga dita e parë Qeveria Kurti, ka shfrytëzuar mundësinë që të bëjë presion mbi administratën publike që ata të lëshojnë vendet e punës.
“Qeveria e Kosovës nga dita e parë e ka shfrytëzuar mundësinë në çdo moment për t’i larguar njerëzit, me difirencu njerëz politikisht, me bë presion mbi administratën publike që ata të lëshojnë vendet e punës dhe të punësojnë njerëz të vet, njerëz të afërt edhe familjarë, e aq më keq kur Qeveria e Kosovës i shfrytëzon katastrofat në vend që t’i kryej këto punësime dhe këto punësime të kalojnë në heshtje”, tha ajo.
Musliu duke përmendur disa nga punësimet familjare tha se kësaj qeverisje duhet që t’i vije fundi, pasi sipas saj pushteti ka hyrë në një rrugë pa krye.
“Nuk guxon që të kalojë në heshtje punësimi i tezakes në këtë rast sepse ju e dini që nuk është vetëm ai rast, e kishim edhe vëllaun, kishim një tezake tjetër në Universitet e kështu më radhë, të mos flasim për bashkëshortin e saj i cili merr pagë pa punuar as një ditë i cili shantazhon mediet. Unë konsideroj që kësaj qeverisje duhet që t’i vije fundi, dy vjet kemi pritur me ide që kjo do ta gjejë rrugën por fatkeqësisht kjo ka hyrë në një rrugë pa krye dhe nuk ka kthim”, tha ajo për eo.