Të mërkurën zyrtarisht do të hyjë në fuqi Ligji për paga për sektorin publik, mirëpo vlera e koeficientit nuk është bërë e ditur ende.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, në një prononcim për lajmi.net, tha se kërkesa e tyre ka qenë që vlera e koeficientit të jetë 130 euro.
Zeqiri shtoi se koeficienti më i ulët se 120 është i pa pranueshëm.
“Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar që vlera e koeficientit të jetë jo më pak se 50 për qind e pagës minimale, e cila ka kaluar në lexim të parë, që do të thotë 132 euro, kjo është kërkesa jonë. Në rast se ndodh është vlera nën 120 euro sigurisht jo vetëm ne por pakënaqësitë do të jenë aq të mëdha sa që edhe ne si sindikatë do të koordinohemi bashkë se çka do të bëjmë më tutje, është jashtëzakonisht e papranueshme ajo”, tha Zeqiri.
Ai ka përmendur edhe inflacionin si arsye që do të duhej të merrej parasysh për përmbushjen e kërkesave të tyre.
“Nëse qeveria po mendon të bëjë ngritje të pagave atëherë kjo do të ishte deri diku e arsyeshme edhe pse inflacioni i viti të fundit e ka bërë të vetën. Nuk do të thoja se do të kishte ngritje numerikisht por sa i përket blerjeve të produkteve do të nivelizohet deri diku”, tha ai.
Zeqiri shtoi se rritja e koeficientit në atë shumë nuk do të ketë ndonjë pengesë dhe nuk do të dëmtohet buxheti i qeverisë.
Përderisa sipas tij, qeveria aktuale ka folur për një rritje financiare më të madhe se çdo vit tjetër.
“Përderisa këta po thërrasin se ka rritje në buxhetin e Kosovës është një rritje financiarisht më e madhe se çdo vit tjetër, nuk besoj se do të ketë ndonjë pengesë. Duke llogaritur që unë nuk jam ekspert i ekonomisë por ai qarkullim do të bëhet brenda për brenda dhe do të ketë rritje të tatimit në pagë me të gjitha ato, unë mendoj që nuk do të dëmtohet buxheti”, tha ai.
I pyetur se pse mendon që nuk është deklaruar ende koeficenti, Zeqiri tha se është befasi për ta se si presidentja e dekreton një Ligj i cili nuk e ka vlerën e koeficientit të caktuar.
Sipas tij, është një ligj i paplotësuar derisa nuk e ka vlerën e koeficientit.
“Nuk mund të them asgjë për këtë drejtim derisa këta nuk kanë deklaruar me vlerën e koeficientit. Arsyen se pse e kanë mbajtur deri më tani të pa deklaruar është befasi për neve, se si presidentja e dekreton një ligj i cili nuk e ka vlerën e koeficientit të caktuar. Është kjo një lloj defekti apo mos me thënë defekt, është një ligj i paplotësuar derisa nuk e ka vlerën e koeficientit”, shtoi ai.
Madje ai shtoi se kjo qeveria ose do të bëjë një befasi të mirë ose do të jap një koeficient të ulët dhe të pakënaqshëm në tërë sektorin publik.
Zeqiri ka deklaruar se nuk e di interesin e qeverisë për të krijuar pakënaqësi në sektorin publik në rast se koeficienti është i ulët.
“Kjo qeveri ose do të bëjë një befasi të mirë për të thënë që ne jemi ajo qeveri që mendojmë për punëtorët dhe të jap një vlerë të koeficientit të kënaqshme, ose do të jep një vlerë të koeficientit aq të ulët që të krijoj pakënaqësi në të gjithë sektorin publik dhe nuk e di pastaj se cili do të ishte interesi i qeverisë që të krijoj një pakënaqësi në sektorin publik”, u shpreh ai.
Kujtojmë se Ligji i Pagave në sektorin publik ishte miratuar në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës më 22 dhjetor të viti 2022.