Dy gra janë plagosur me armë zjarri paraditen e së shtunës në Fushë-Kosovë.
Lajmin për media e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka thënë se viktimat dyshohet se janë plagosur nga një burrë, i cili ndodhet në arrati.
“Sot rreth orës 11:45, policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Besa Besë” në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se nga një person i dyshuar, me armë zjarri janë plagosur dy persona (të dyja të gjinisë femërore), të cilat janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Ahmeti.