Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, rrezikon dënim me burgim deri në tri vite, pasi akuzohet se e gënjeu nën betim organin kompetent për licencim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MRKS), në dokumentacionin e dërguar për licencimin e FFK-së në fillim të këtij muaji.
Deklarimi i rremë nën betim është vepër penale e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tri vite, sipas Kodit Penal të Kosovës.
Neni 383 i Kodit Penal të Kosovës për deklarim të rremë nën betim thekson: “Kushdo që pasi të ketë dhënë betimin pranë organit kompetent për të administruar dëshmitë e dhëna nën betim…ose me dijeni fsheh ose shmang nga deklarimi ndonjë çështje relevante për procedurën, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.”
Në dokumentacionin e dërguar në MKRS, Ademi në deklaratën e nënshkruar nën betim kishte thënë se të gjitha të dhënat e paraqitura në dokumentacioni dërguar MKRS-së ishin të sakta dhe të plota.
“Përmes kësaj deklarate, nën përgjegjësinë para ligjit, deklaroj se të gjitha të dhënat e paraqitura në dokumentacionin e dorëzuar tek MKRS-ja për licencim nga federata e sportit përkatës, janë plotësisht të sakta dhe të vërtetuara paraprakisht nga zyrtarët përgjegjës të federatës përkatëse”, ishte deklaruar Ademi.
Por Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive – organi kompetent i MKRS-së – e ka akuzuar Ademin se deklaroi rrejshëm, pasi gjeti se kreu i federatës së futbollit dërgoi dokumentacion të pakompletuar për gjendjen e vet juridiko-penale.
“KVLFS konstaton se z. Agim Ademi e ka shkelur edhe deklaratën nën betim, duke dërguar dokumentacion të pakompletuar lidhur me gjendjen e tij juridiko-penale, dhe në këtë mënyrë është përpjekur që ta vërë në lajthitje Komisionin Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive, veprim ky i dëmshëm në aspektin etik e profesional, por edhe i dënueshëm në aspektin ligjor.”
Komisioni Vlerësues gjeti se në dokumentacionin e dorëzuar nga Ademi në emër të FFK-së ka shumë mangësi si dhe dokumentacioni ishte i pakompletuar.
Si pasojë, FFK-ja dështoi sërish të marrë licencën nga MKRS-ja.
Komisioni Vlerësues i ka kërkuar Agim Ademit të japë dorëheqje të menjëhershme ose të shkarkohet nga posti i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, për shkak se është duke u gjykuar për vepër penale.
Ademi është duke u rigjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë i akuzuar për veprën penale detyrim në bashkëkryerje dhe ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.
FFK-ja vijon t’i ketë 11 anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, pavarësisht se me Statutin e vet i kërkohet t’i ketë 13, një tjetër shkelje për të cilën Komisioni Vlerësues e ka qortuar.
Federata e Futbollit mori vërejtje përsëri për përmbajtjen e Statutit të vet, i cili nuk është ndryshuar apo plotësuar siç duhet.
Komisioni Vlerësues gjeti se asaj i mungojnë dëshmi që i ka të themeluara dhe plotësisht funksionale strukturat e qeverisjes të cilat përmbajnë vendime, procesverbale apo kontrata.
Të gjitha këto vijnë në prag të një Kuvendi të Jashtëzakonshëm në përpjekje për ta ndryshuar Statutin e FFK-së, të premten më 27 janar, i cili do t’i jepte atij dhe rrethit të tij të ngushtë pushtet edhe më shumë në krye të futbollit në vend.
Draft-Statuti i përgatitur nga njerëzit e Ademit ka shumë shkelje dhe është duke u kundërshtarët nga klubet më të mëdha kosovare, si Prishtina, Drita dhe Trepça ’89.