Ish i dërguari special i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Petritsch e konsideron të besueshme kthesën e mundshme të Serbisë në politikën e saj ndaj Kosovës dhe thotë se tani i takon Kosovës të përmbushë obligimet e saj.
“Po përgatitet një hap që është shumë i vështirë për palën serbe”, shtoi Petritsch në një deklaratë për agjencinë APA.
Ai theksoi se presidentit serb Aleksandar Vuçiq e ka të qartë se duhet të veprojë dhe në të njëjtën kohë është rritur presioni ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili është në lëvizje, përcjell Kosovo Online, transmeton Klankosova.tv.
Petritsch është optimist se me planin e ri franko-gjerman është arritur një pikë nga e cila do të lëvizë diçka.
“Edhe një herë, doli se përparimi është i mundur vetëm kur evropianët dhe amerikanët tërhiqen në të njëjtën anë të litarit,” shtoi ai
Presionet nga të dyja palët janë të mëdha, vlerëson ai dhe thekson se Serbia duhet të fillojë negociatat për planin franko-gjerman e në anën tjetër Kosova të zbatojë marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Nëse fillon puna për të, do të ishte një përparim i madh, i ngjashëm me të cilin nuk është regjistruar në rajon për shumë vite,” vlerësoi Petritsch.
Ai supozon se deklarata e fundit e Vuçiqit se ai mund ta pranonte propozimin është e besueshme, pasi tani shumë varet prej tij.
Ish-i dërguari i BE-së theksoi se nuk bëhet fjalë më vetëm për çështje territoriale, por për interesa ekonomike dhe politike të Serbisë. Ai theksoi se presidenti Vuçiq ka ndërtuar një politikë të suksesshme ekonomike që mbështetet në investime dhe për shkak të kësaj, ai nuk mund të përballojë brenda vendit që investitorët gjermanë t’i kthejnë shpinën Serbisë.
Tani, shton ai, Kosova është në lëvizje dhe duhet të kryejë detyrat e saj, duke themeluar Asociacionin.
Ai gjithashtu vlerëson se nuk mund të pritet që Kosova të pranohet shpejt në OKB, sepse sipas tij Rusia nuk do të pajtohet me këtë në të ardhmen e parashikueshme.
“Kjo e dallon çështjen e Kosovës nga zgjidhja gjermano-gjermane, sepse atëherë të dyja vendet u pranuan në OKB”, theksoi më tutje ai.