Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i quan shpifës ata që kanë shkruar e reaguar për implikimin e tij në skandalin e madh financiar që prek tri shtete. Sipas tij, akuzat në drejtim të tij po bëhen për ta denigruar atë, imazhin e Kosovës, e për t’i ftohur marrëdhëniet ndërshtetërore me Kroacinë e Slloveninë, raporton Gazeta Express.
Berishaj këto komente i bëri nga Prishtina, në prag të hapjes së Forumit Ekonomik Kosovë – Kroaci. Ai tha se është “shumë i gëzuar dhe shumë i respektuar” që e prezanton Qeverinë dhe shtetin e Kosovës si ambasador.
Këto çështje për të cilat po pyetni dhe këto spekulime mediale janë spekulime të drejtuara nga dhe kanë prapavi politike”, tha Berishaj.
“Mendoj se është shumë me rëndësi në këtë rast të flasim më tepër për aktivitetin që mbahet sot”, tha ai.
Dhe u kthye përsëri te akuzat, të cilat ai i quan spekulime. Sipas Berishajt, njerëzit duan ta denigrojnë personalitetin e tij dhe të ndikojnë në marrëdhëniet e Kosovës me Kroacinë dhe Slloveninë.
“Dua të them që këto spekulime të cilat janë bërë i hudh poshtë. Ato kanë vetëm një gjë, qëllimi kryesor i tyre është të denigrohet personaliteti im, imazhi i Kosovës dhe të ftohen çështjet të cilat nuk ka hije të bëhen dhe të futen në marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes shtetit kroat dhe Kosovës dhe shtetit të Sllovenisë, që i fusin njerëzit të cilët e kanë dëshirën për të bërë emër në emër të tjetërkujt”, tha Berishaj.
“Besoj se këta shpifësa do të dalin para gjykatës”, përfundoi ai, duke u larguar.