Komunat ishin në dijeni që nga tetori i vitit të kaluar se çmimet e tatimit në pronë do të rriteshin, por shumica s’kishin bërë zë. Komunat e vetme që kanë reaguar atëherë dhe kanë kërkuar korrigjime nga Ministria e Financave, janë ajo e Gjakovës dhe Kaçanikut. Express ju sjell shkresat që këto komuna kishin dërguar në adresë të Ministrisë, por që thonë se s’ishin marrë parasysh.
Gazeta Express
Ankesat e qytetarëve ndaj disa komunave pas rritjes së çmimit të tatimit në pronë, po del se s’kanë qenë krejt pavend. Pavarësisht se dje u munduan të shfajësohen për shtrenjtim të faturave, raporti i Vlerësimit të Pronave u ishte dërguar atyre nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të muajit tetor të vitit 2022, por që shumica kishin heshtur.
Të vetmet komuna që kishin ngritur pakënaqësi për këtë raport dhe kishin kërkuar korrigjime janë ajo e Gjakovës dhe Kaçanikut.
Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjakovës, Durim Halilaj, i ka thënë Gazetës Express se këtë raport e kanë pranuar më 31 tetor.
Lidhur me pakënaqësitë për këtë raport, ai thotë se i ishin drejtuar me shkresë Ministrisë së Financave, për të cilën deklaron se s’kanë marrë asnjëherë përgjigje.
Gazeta Express e ka siguruar këtë shkresë, ku ndër të tjera, thuhet se vlerësimi nëpër zona nuk është i saktë.
Aty thuhet edhe se s’ishin marrë parasysh propozimet që komuna kishte dhënë gjatë takimit me grupin vlerësuar të Departamentit të Tatimit në Pronë.
“Lidhur me Raportin mbi vlerësimin e përgjithshëm për vitin 2022 e tutje, mendoj se vlerat janë shumë më të larta në raport me vlerësimin e kaluar (të vitit 2019) dhe se ka diskrepancë të madhe në nivelin e vlerave sidomos në Zonën 201, 202 dhe 203. Në takimin që kemi pasur me grupin vlerësues të Departamentit të Tatimit në Pronë kemi dhënë mendimet tona për vlerësim të cilat i kemi përcjellë edhe përmes postës elektronike. Propozimet tona nuk korrespodojnë me Raportin mbi Vlerësimin e Përgjithshëm për Prona Rezidenciale”, thuhet në shkresë.
Nga kjo komunë kishin kërkuar që të merreshin për bazë vërejtjet dhe të korrigjohej raporti.
“Ju lutem të merren për bazë vërejtjet tona dhe të korrigjohet Raporti mbi Vlerësimin e Përgjithshëm për Prona Rezidenciale për vitin 2022, pra të zvogëlohen vlerat për zonat 201, 202, 203, gjithnjë duke iu referuar Raportit mbi Vlerësimin e Përgjithshëm për Prona Rezidenciale të vitit 2019”, thuhet në shkresë.
Me shkresë të ngjashme, Ministrisë i ishte drejtuar edhe Komuna e Kaçanikut. Edhe kjo komunë e cilësonte vlerësimin si jo real, e të paarsyeshëm.
“Ngritja e çmimeve sipas vlerësimit të ri për mendimin tonë është e lartë dhe e paarsyeshme ngase fillon nga +4.8% deri 42.9% më e lartë për objekte rezidenciale (shtëpi familjare) dhe nga +38.10% deri në 80.00% më e lartë për apartment, e poashtu edhe çmimet për parcela për shtëpi familjare dhe apartment në 4 zona ka zbritje nga -16/675 deri në -20%, ndërsa zonat tjera ngritje nga 0% deri në 166/67% që është e njejtë edhe për parcelat për apartment dhe parcelat për objekte tjera rezidenciale”, thuhet në shkresën që Komuna e Kaçanikut i kishye dërguar MFPT’së, në nëntor të vitit 2023.
Kërkesë të ngjashme tha se ka bërë edhe Komuna e Prishtinës, por nuk është ofruar ndonjë dokument.
“Komuna e Prishtinës nuk ka bërë rritje të normave tatimore. Ajo çfarë ka ndryshuar është vleresimi i pronave të Komunës së Prishtinës, vlerësim ky që bëhet nga Ministria e Financave, dhe rrjedhimisht kanë rezultuar me rritje të faturave të tatimit në prone. Ne kemi kerkuar rivleresim dhe pezullim te ketij vendimi, sidomos ne kete kohe krize, e ne kete kohe me inflacion”, shkroi nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.
Postimi i Zogajt erdhi pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, tha se komunat kanë pasur kohë një muaj për komente lidhur me raportin e Ministrisë, por se s’kanë dërguar asnjë.
“Në tetor Min Financave i ka dërgu komunave për mendim vlerësimin e pronave dhe objekteve, dhe kanë pas 1 muaj afat për komente. ZERO komente! ASNJË vërejtje për vlerësimin, sepse i marrin vet ato mjete, se “ua ka kajtë,” që thotë populli ? Tash po qesin lot krokodili!”, shkroi Basha.
Gazeta Express i ka kërkuar shkresën edhe Zogajt edhe komunës së Prishtinës, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’është ofruar një dokument i tillë.
Nga Komuna e Prizrenit kanë deklaruar se s’kanë kompetencë ligjore për të kërkuar rivlerësim apo pezullim, por se po e shikojnë mundësinë që në kuadër të Asociacionit të Komunave t’u drejtohen organeve të drejtësisë.
“Komunat nuk e kanë kompetencën ligjore për të kërkuar diçka të tille, por, për shkak të shqetësimeve te ngritura jemi duke e shqyrtuar si opsion që ndoshta në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, t’i drejtohemi organeve të drejtësisë me shkrim. Nëse diçka e tillë ndodhë, mediat do të informohen me kohë”, thuhet në përgjigjet e Komunës së Prizrenit për Gazetën Express.
Ndërkohë, nga Komuna e Ferizajt kanë deklaruar për Express se tash do t’i drejtohen Ministrisë së Financave, me kërkesë për rishikim.
“Pra, Komuna e Ferizajt nuk e ka bërë përcaktimin e shumave në faturat e qytetarëve për vitin tatimor 2023 dhe për këtë do të kërkojmë rishikim nga ana e Ministrisë së Financave në mënyrë që të mos rëndohet edhe më shumë xhepi i qytetarëve, tash kur po përballemi me sfidën e krizës së inflacionit”, thuhet në përgjigje.
Se vetëm dy komuna kanë dërguar ankesa në Ministri kur u ishte dërguar raporti, e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Ibrahimi tha se komunat vetëm janë njoftuar për këtë çështje, por se s’janë konsultuar.
“Po, kur është pranuar raporti i vlerësimit nga Ministria e Financave për pronat, Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Kaçanikut janë ankuar dhe unë po mendoj që më mirë është me bisedu direkt me Komunën e Gjakovës edhe komunën e Kaçanikut për ankesa meqë në bazë të informacioneve që kam, ato ankesa nuk janë shqyrtuar fare nga Ministria e Financave dhe ata kanë proceduar me raportin që e kanë dërguar. Problemi është që komunat nuk janë konsultuar fare sa i përket kësaj çështje, por vetëm janë njoftuar”, deklaroi Ibrahimi.
Rritja e çmimit të tatimit në pronë, opozita e quan sulm ndaj qytetarëve
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar rritjen e çmimit të tatimeve, si të papranueshme dhe të patolerushme.
Nga kjo parti e kanë quajtur këtë si veprim të papërgjegjshëm, në një kohë me inflacion të lartë.
“Qeveria e paaftë ka filluar vitin e ri edhe me një rritje të ngarkesës tatimore për qytetarët e Kosovës. Kjo është edhe një godite tjetër ndaj papërballueshmërisë në kohën kur kosto e rritjes së çmimeve dhe kosto e jetesës ka arritur nivele rekorde në vend. Për shkak të rritjes së barrës tatimore – si rezultat i rritjes së vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave – qytetarët e Kosovës kanë filluar të pranojnë faturat e tatimit në pronë me rritje deri në dyfishim. Kjo ngarkesë shtesë, në kohë të krizës së çmimeve, është e papranueshme dhe e patolerueshme. Vendimet e Ministrisë pa koordinim, janë papërgjegjësi”, ka thënë LDK.
Këtë vendim e kanë kundërshtuar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, ka thënë se ky është sulm ndaj qytetarëve
“Efektet zinxhir të krizës socio-ekonomike, nuk mund të shërbejnë si vlerësime reale të normës tatimore të pronave. Logjika që kriza e shkaktuar nga inflacioni të kthehet barrë, jo vetëm e rritjes së çmimeve bazike, por edhe në vlerësimin e vlerës tatimore, është e pa bazuar, jo logjike dhe rënduese për qytetarët”, ka shkruar Tahiri.
Çka thotë Ligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme?
Sipas Nenit 17 të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, autoritet kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
“Ministria e Financave përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave. Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit”, parasheh ky nen.
Ndërkaq, normat tatimore caktohen nga Kuvendet Komunale.
“Kuvendi komunal i çdo komune cakton normat tatimore për të gjitha kategoritë e pronave, me përjashtim të kategorisë pronë publike, deri më 30 nëntor të vitit para vitit të vendosjes së tatimit në përputhje me këtë Ligj. Kuvendi komunal duhet t’i rishikojë normat e caktuara dhe të caktojë norma të reja tatimore, vetëm nëse një gjë të tillë e kërkojnë rrethanat”, parasheh Neni 9 i këtij ligji.