Qytetarët e intervistuar nga Ekonomia Online janë ankuar se rritja e tatimit në pronë po u shkakton probleme të rënda ekonomike. Ndonëse thonë se ka pasur rritje të produkteve tjera, një rritje e tillë, do të jetë e papërballueshme për ta, raporton Ekonomia Online.
Shumica kanë përjetuar rritje dyshifrore, ndërsa ka pasur raste edhe në mbi 150 për qind.
Ndonëse vitin e kaluar e kishte paguan 460 euro faturën e tatimit në pronë, këtë vit, Shkumbin Pllana do ta paguajë më shtrenjtë.
Ai tha se për pronën e njëjte e ka paguar 952 euro.
“Po unë isha për ta marr faturën për tatim për shtëpinë time, e kishin rritur njëqind për qind. Tash arsyen pse nuk e di, se paraprakisht nuk kemi qenë të informuar fare për rritje. Se edhe rritje për njëqinda për qind njerëzve ju ka ra si shokë. 460 kam paguar vitin e kaluar, tash më ka ardhur 952 euro. E vështirë është edhe me këto ndryshimet negative që kanë ndodhe në krejt botën jo veç tekë ne”, tha ai për EO.
Ramadan Murati nga Prishtina, thotë se sot kishte paguar tatimin dhe sipas tij pagesa këtë vit ishte rritur më shumë se njëqinda për qind.
“Po është shtrenjtuar shumë, më shumë se qind për qind. Është barrë tepër e rëndë, por obligimi duhet që të kryhet, na vështirëson boll”, tha ai.
Rritjen e tatimit në pronë e ka vërejtur edhe mërgimtari, Ilir Ajeti. Thotë se Kosova çdo ditë përballet me rritje të çmimeve.
“Unë jetojë në Evropë, por jemi duke e përcjellë këtu dhe jemi duke parë që asgjë nuk është duke shkuar në rregull. Çmimet po rriten, tatimet janë duke u rritur punë nuk ka. Rinia janë duke ikur të gjithë, të gjithë kemi ikur për shkak të papunësisë”, thotë Ajeti.
Ndërsa për Idriz Ajetin, çdo rritje e çmimeve e vështirëson jetën e qytetarëve. Ai thotë se pagat e pensionet kanë mbetur të njëjta.
“Çfarëdo rritje që pason e vështirëson në masë të konsiderueshme jetën e qytetarëve. Po ja dalim por me vështirësi pak a shumë. Sigurisht është kohë shumë e vështire, e paqëndrueshme ekonomike, ka ndodh si një termet në tregun edhe global por edhe në atë kosovarë, ndërsa pagat, pensionet, ndihmat sociale e të tjerat nuk kanë pësuar as një ndryshim dhe natyrisht se ka vështirësi tek qytetarët”, u shpreh ai.