Që prej orës 14:00 të kësaj të hëne, ka nisur me kërkesë të Presidentit të Republikës mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tema e së cilës është: “Analiza e gjendjes së sigurisë kombëtare dhe diskutimi i prioriteteve për vitin 2023”.
Euronews Albania mëson se gjatë fjalës së mbajtur në mbledhje kreu i shtetit Bajram Begaj, ka deklaruar se viti që lamë pas ka qenë një vit sfidues për sigurinë kombëtare, për shkak të sulmeve kibernetike, veprimtarisë së vendeve jo mike dhe luftës në ukrainë që ka shkaktuar inflacionin e çmimeve.
“Viti që sapo kemi lënë pas ishte i vështirë dhe sfidues edhe për sigurinë tonë kombëtare. Në muajin korrik, ne u përballëm me një nga sulmet më të rënda kibernetike të sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit, i cili jo vetëm shkaktoi probleme në infrastrukturën digjitale në vend, por ishte me qëllime të dukshme politike për të shkaktuar destabilitet”, ka thënë Presidenti.
“Gjatë vitit 2022 kemi kaluar situata të vështira që lidhen me përmbytjet gjatë periudhës së dimrit; situatë e vështirë është krijuar dhe këto dy javët e fundit, si dhe zjarret gjatë periudhës së verës. Gjithashtu ka patur cënim të sigurisë publike nga fenomene të kriminalitetit, aktivitete të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike, krimit të organizuar, korrupsionit, emigracionit etj. Të gjitha këto kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqënies së qytetarëve”, shtoi ai.
“Në aspektin rajonal ka patur zhvillime me ndikim direkt apo indirekt në ruajtjen dhe mbrojtjen e interesave tona kombëtare, ndërkohë që shtete me interesa jo miqësore, nëpërmjet instrumentave të ndryshëm janë përpjekur të zgjerojnë influencën e tyre dhe të frenojnë proceset integruese euro-atlantike të vendeve të rajonit tonë.”
“Përgjatë gjithë vitit dhe në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u ballafaquam me një situatë tepër delikate në veri të Kosovës, e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal. Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATOs në garantimin e paqes dhe sigurisë, respekton parimet e fqinjësisë së mirë, si dhe mbështet dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, që do të çojë në njohje të ndërsjelltë.”
“Agresioni i paligjshëm i Rusisë ndaj Ukrainës ka shkaktuar krizën më të madhe të sigurisë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e tij në fushën ekonomike u shoqëruan me rritje të konsiderueshme çmimesh në sektorin ushqimor dhe të energjisë të cilat kanë shtrenjtuar dhe vështirësuar jetën e qytetarëve”, the Begaj.
“Në këtë takim të sotëm, ne do bëjmë një analizë të gjendjes së sigurisë kombëtare dhe ajo ç’ka është më e rëndësishme është të diskutojmë prioritet për vitin në vijim, në funksion të një angazhimi të plotë dhe gjithpërfshirës të të gjitha institucioneve, për të siguruar bashkërendimin e përpjekjeve dhe përdorimin efikas të burimeve kombëtare në funksion të sigurisë, lirisë dhe mirëqenies“, përfundoi Presidenti.
Mbledhja, synon që të japë një panoramë të plotë dhe integruar të gjendjes së Sigurisë Kombëtare në vend dhe të diskutojë prioritetet për vitin në vijim.
Në këtë mbledhje, janë ftuar të marrin pjesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe të ftuar drejtues të institucioneve me rëndësi për sigurinë kombëtare.
Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk do të jetë prezent, për shkak se ndodhet në Itali për një vizitë pune dhe në vend të tij do të paraqitet zv.drejtori, Sokol Bizhga.
Ndërkohë, e pranishme do të jetë edhe Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ku pritet të diskutohet për sigurinë ushqimore.