Sor pritet të mbahet protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, shkak i së cilës është deklarata e kryeministrit Albin Kurti për politikanin serb, Oliver Ivanoviq.
Të hënën e 23 janarit, fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbajnë protestë kundër deklaratave të kryeministrit Albin Kurti për politikanin e ndjerë serb, Olivier Ivanoviq, me moton, “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë”.
Protesta është paraparë të zhvillohet në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, duke filluar nga ora 12:00.
Protesta është thirrur nga një grup në rrjetin social Facebook, që thuhet të jetë nga fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Të indinjuar thellë me veprimet e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, dhe tenitmin e tij për të amnistuar kriminelin e luftës, ideatorin dhe kryesin e vrasjeve të shqiptarëve civilë, Oliver Ivanoviqit. Fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thërrasin për protestë, me moton: “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë!”, thuhet në njoftim.
Sipas organizatorëve, kjo protestë ka për qëllim ndërgjegjësimin për vlerën e historisë dhe të ardhmes së vendit.
“Në këtë protestë ftohen të marrin pjesë të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim, të cilët mendojnë se heshtja ndaj veprimeve destruktive dhe të rrezikshme është po ashtu një bashkëngjitje në faj”.