Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Sandër Prosi’ në Ferizaj, ku dy vajza kanë rënë nga kati i katërt i një objekti dhe si pasojë njëra nga to ka humbur jetën. Vajza që ka humbur jetën është 15-vjeçare, ndërsa 18-vjeçarja ka mbetur e lënduar, të cilat janë motra mes vete, raporton Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është cilësuar si vetëvrasje, teksa ende nuk ka më shumë detaje për rrethanat dhe motivet e rastit.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka bërë me dije se vajza që ka mbetur e lënduar po trajtohet në QKUK.
“Me datën 21.01.2023 rreth orës 21:35 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën “Sandër Prosi” në Ferizaj, dy vajza të moshës 18 dhe 15 vjet kanë rënë nga kati i 4-të , i një objekti banesor. Të njëjtat për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën Emeregjente në Ferizaj e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor (nē gjendje tē rëndë shëndetësore) janë dërguar për në QKUK-Prishtinë. Njëra nga të lënduarat Z.M (F/K) e moshës rreth 15 vjeçe për pasojë ka ndërruar jetē, kjo e konfirmuar nga mjekët , ndërsa e lënduar ka mbetur A.M (F/K) e moshës rreth 18 vjecare. Policia Rajonale e Ferizajt ,hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt po e hetojnë rastin”, ka thënë Veseli.