Ministria e Shëndetësisë ka shpërblyer me kontratë, të parashikuar në vlerë 1.9 milionë euro, një operator ekonomik që do të kryejë furnizimin me insulina.
Të enjten, Ministria ka përzgjedhur kompaninë “MEDITECH” për furnizimin me insulina për institucionet shëndetësore në vend.
Sipas njoftimit të MSH-së, furnizimi me insulina përmbush nevojat për mbi 15 mijë qytetarë insulinëvartës, që aktualisht janë të regjistruar në Kosovë.
MSH-ja tha se momentalisht ka sasi shumë të vogël të insulinave në stok.
“[…] përfshinë edhe pjesën e furnizimit te rregullt me Insulina për nevoja te mbi 15,000 qytetareve insulinvartës qe aktualisht janë te regjistruar ne Rep. e Kosovës dhe qe furnizohen rregullisht me insulina me doza ditore sipas rekomandimit te mjekut”, thuhet në njoftimin për dhënie të kontratës.
Kontrata mes MSH-së dhe “MEDITECH” është e ndarë në dy pjesë dhe është lidhur përmes procedurës së negociuar.
Loti i parë vlen 330,200.00 € dhe loti i dytë 1,488,482.20 €.
Por, kontrata mund të anulohet nëse zgjidhet tenderi me procedurë të hapur, i cili ndodhet në Organin Shqyrtues të Prokurimit tash e disa muaj, shkaku i ankesave të operatorëve ekonomikë.
“Palët janë pajtuar qe ne momentin qe nënshkruhet kontrata e rregullt me procedure te hapur, kjo kontratë e negociuar ndërpritet automatikisht, pavarësisht përqindjes se realizimit te kontratës dhe AK-MSh nuk merr obligime ndaj kontraktorit”, thuhet në njoftim.
Në fund të vitit të kaluar, OSHP-ja ka vendosur kundër Ministrisë së Shëndetësisë që kishte anuluar tenderin për furnizim me insulina. Ky tender ishte anuluar për disa arsye, por kryesorja ishte që kompania më e lirë në tender nuk kishte Autorizim Marketing, dokument që dëshmon kualitetin, efikasitetin e sigurinë e barnave.
Sërish OSHP-ja ka zgjedhur që ekspertizën për këtë çështje të mos e bëjë një ekspert i fushës së barnave, por ia ka lënë në dorë Agim Sheqirit, që është ekspert financiar.