Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar Lëvizjen Vetëvendosje me padi, pasi një foto e tij figuronte në një video që partia në pushtet e publikoi para pak ditëve të titulluar “Çka ka, çka s’ka”.
Ai këtë e ka deklaruar në seancën plenare të mbajtur të mërkurën, teksa i ka kërkuar subjektit politik në pushtet ta largojnë fotografinë, shkruan Demokracia.com.
“Ku e merr guximin ai njeri që e ka bërë atë video që ta vendosë fotografinë time në një video inkriminuese e të më fyejë. Ku e merr guximin ai ta vendosë fotografinë time e t’i krijojë shqetësim familjes sime dhe rrethit familjar tim”, deklaroi ndër të tjera Tahiri.
“Nuk kam bërë asnjë keqpërdorim, gjeni vetëm një keqpërdorim që kam bërë, gjeni vetëm një njeri që kam shti në punë. Qysh ju duket ju deputet me ju vendos një parti politike foton e juaj në video inkriminuese nëse ju s’keni keqpërdor asgjë. Kërkoj nga Vetëvendosja me largu foton time, përndryshe do të përdori gjitha mekanizmat ligjor në vend dhe kudo, për me detyru Vetëvendosjen me tregu çfarë kam keqpërdor unë”, tha ndër të tjera deputeti i AAK-së.