Arrestimi i kryemafiozit Matteo Messina Denaro vijon të bëjë bujë në mediat italiane dhe jo vetëm. Bosi i organizatës famëkeqe të Cosa Nostra, u arrestua në një klinikë private në Palermo pas 30 vitesh në arrati.
Mbi 100 pjesëtarë të forcave të armatosura thuhet të jenë përfshirë në arrestimin e tij. Sipas dëshmive i shumëkërkuari kishte tentuar fillimisht të arratisej, por është ndaluar nga karabinierët. Por kush e drejtoi operacionin e bujshëm? Ai është Lucio Arcidiacono, kreu i grupit të operacioneve speciale, i cili ju vetëm është identifikuar, por madje dhe ka folur për mediat italiane, duke treguar detaje nga operacioni.
Arcidiacono ka vlerësuar mosdekonspirimin e operacionit, ndërsa është shprehur se ka shkuar civil dhe nuk fshihet, pavarësisht rrezikut që mund t’i kanoset nga mafia.
E njoha menjëherë, në mënyrë të qartë nga shumë të dhëna që kishin për pamjen e tij fizike. Ai nuk e priste operacionin e policisë, nuk dyshonte për operacionin. Nuk dyshonin as bashkëpunëtorët e tij. Ishte një operacion kompleks që u finalizua edhe fal ruajtjes së sekretit. Nuk u dekonspirua. I shkova civil. Nuk fshihem unë”, u shpreh ai për mediat italiane.
Matteo Messina Denaro është gjykuar dhe është dënuar në mungesë, më burgim të përjetshëm, për një numër vrasjesh. Mes tyre përfshihet vrasja e prokurorëve antimafias Giovanni Falconne dhe Paolo Borsellino në vitin 1992, sulmet vdekjeprurëse me bombë në 1993-shin në Milano, Firence dhe Romë, e gjithashtu rrëmbime, torturë dhe vrasjen e djalit 11-vjeçar të një mafiozi të kthyer në dëshmitar shtetëror.