Pakujdesia dhe mosrespektimi i rregullave në trafik, pothuajse çdo ditë shkakton një numër të madh të aksidenteve në vendin tonë. Në shumë raste viktima janë edhe këmbësorët, të cilëve shpeshherë u rrezikohet edhe jeta, raporton Gazeta Sinjali.
Një aksident i tillë ka ndodhur edhe pasditen e së shtunës në fshatin Bellanicë të Malishevës, ku një veturë ka goditur një 8-vjeçare, e cila ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Për shkak të lëndimeve të marra, fëmija është dërguar për tretman mjekësor fillimisht në Qendrën Emergjente në Malishevë, e më pas është transferuar në QKUK si pasojë e lëndimeve serioze, frakturës që ka pësuar në hundë.
Sinjali mëson se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur kur shoferja e veturës, një 22-vjeçare nga pakujdesia ndaj dy fëmijëve që ishin këmbësore, ka goditur njërin prej tyre.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet policore, ku janë bërë ekzaminimet e nevojshme, ndërsa për rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.