Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, i tha agjensionit serb të lajmeve “Tanjug” se Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet i ka thënë Kryeministrit të Kosovë, Albin Kurtit, se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të formohet në pranverë të këtij viti “me ose pa të“.
“Një informacion të tillë na ka dhënë neve Chollet në takim me delegacionin amerikan, por unë nuk pres që Kurti ta bëjë këtë dhe kam frikë se do të ketë ndonjë incident tjetër”, tha Jevtiq.
Jevtiq shprehet e i bindur se “Kurti nuk do ta formojë Asociacionin” dhe atë “pavarësisht se sa presion i bëhet”. Sipas tij, Kryeministri i Kosovës, më parë largohet nga pushteti se sa ta formojë atë.
“Kurti nuk dëshiron të mbahet mend si dikush që ka bërë marrëveshje me serbët, dhe veçanërisht atë që u ka dhënë disa të drejta serbëve në Kosovë”, tha Jevtiq.
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se çështja e Asociacionit mund të adresohet në kuadër të një marrëveshje finale dhe ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, por se një Asociacion të ndërtuar mbi kritere etnike nuk e lejon fryma e Kushtetutës së Kosovës.
Kurti thirret në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e cila gjeti se rreth 23 pika nuk përkojnë plotësisht me Kushtetutën.