Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës të shtunën e 14 janarit ka bërë të ditur se është shtyrë konkursi për pranimin e ushtarëve të rinj për një javë.
Një vendim i tillë sipas ministrisë erdhi për shkak të qasjes së njëkohshme të shumë aplikantëve në platformën e aplikimit që kanë bërë që të ketë pengesa teknike, të cilat edhe po e vonojnë procesin e aplikimit.
Kësisoj, bëhet e ditur se konkursi për rekrutim në ushtrinë e Republikës së Kosovës do të jetë i hapur deri me datën 23 janar.
Ndërsa, në njoftim është theksuar se të drejtë aplikimi kanë të gjithë të interesuarit mes moshës 18-25 vjeç, dhe po ashtu për aplikantët të cilët kanë hasur vështirësi në marrjen e letërnjoftimit për shkak të mungesës së materialeve njoftohet se ministria do të pranojë aplikacionin edhe me letërnjoftim të skaduar apo me dëshminë se personat janë në proces të marrjes së letërnjoftimit.
Ndryshe, konkursi për pranimin e ushtarëve të rinj është dashur të mbyllet të dielën e 15 janarit në mesnatë, por që tashmë është shtyrë për një javë.