Ambasadori William G. Walker është nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa”, në një ceremoni solemne, e cila u organizua të shtunën nga Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”, raporton Ekonomia Online.
Ky titulli i’u dha ish-shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vitet 1998-1999, me motivacionin: “Për humanizëm dhe guximin e veçantë njerëzor dhe profesional në ruajtjen dhe avancimin e të drejtave universale të njeriut drejt unifikimit të botës demokratike për vlerën jetike të njerëzimit”.
Ndarja e çmimit bëhet në prag të shënimin të 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut. Më 15 janar 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes.
Ambasadori Walker, atëherë shef i Misionit verifikues civil të OSBE-së në Kosovë, do të vizitonte menjëherë vendin e masakrës dhe nga aty, do deklarohej qartë për mediet e botës dhe qendrat perëndimore, se aty kishte ndodhur krim kundër njerëzimit, ndaj civilëve të pafajshëm.
“Nga ajo që pashë, nuk ngurroj ta përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”, kishte deklaruar Walker.
Masakra dhe kjo deklaratë e z.Walker trokiti në ndërgjegjen e burrështetasve botërorë, të cilët nuk mundën të qëndronin duarkryq dhe të shikonin si po vritej një popull i pambrojtur. Pas kësaj gjërat morën zhvillime dhe kahje konkrete dhe më 24 mars 1999, NATO-ja filloi bombardimet mbi Serbinë dhe ish-Jugosllavinë, që pas 78 ditësh sollën kapitullimin e Sllobodan Millosheviqit.