Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, i dyshuar në përfshirjen e mega-skandalit ‘GEN Beograd’ ose afera më e dyshimtë energjetike në vendin tonë, figuron të jetë aksionar edhe në një kompani të majme në Shqipëri, qarkullimi i së cilës ndër vite, është miliona euro. Aktiviteti i parë i kompanisë, i përshkruar në dokumentet më poshtë, është ‘organizimi i lotarive dhe lojërave të fatit’. Hisen në këtë kompani, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj nuk e ka të deklaruar në Agjencinë Anti- Korrupsion.
Periskopi ka gjetur dhjetëra-qindra dokumente, të një kompanie me emrin ‘Nacional Sha’, me qarkullim milionësh, ku në mesin e pronarëve që figurojnë, është edhe emri i ambasadorit Martin Berishaj, i dyshuari në përfshirjen e skandalit të madh të GEN-it serb.
Sipas dokumenteve, Martin Berishaj, është hisedar me 10 % të aksioneve në firmën Nacional (Shqipëri), ku në fillimet e saj, ishin katër firma aksionare të tjera: ‘Stil’, ‘Cetis’, ‘Nirvana’ dhe ‘Lucrum’, me pronarë sllovenë e kroatë.
Dokumentet krahasimore më poshtë: Vendbanimi i z.Berishaj i vitit 2007 përkon me dokumentin/ adresën e vendbanimit që ai e kishte dhënë kur kishte aplikuar për shtetësinë e Kosovës më 2021.
Hisen në këtë kompani, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nuk e ka të deklaruar në institucionin që lufton korrupsionin në vendin tonë, Agjencinë Kundër-Korrupsion.
(Dokumenti i deklarimit të pasurisë në AKK)
Kjo kompani, ku u shkrinë të gjitha firmat e lartëshënuara, ishte hapur për të kryer 28 aktivitete të llojeve të ndryshme në Shqipëri, mes tyre – e para, ‘Organizim i llotarive dhe lojërave të fatit’.
Sipas raporteve të deklaruara të auditimit pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit në Shqipërisë, qarkullimi ndër vite i kompanisë ka qenë mbi 30 milionë euro.
(DOKUMENTI: Pasqyra e auditimit, 2017)
Aktivitete të tjera të kompanisë, ku z.Martin Berishaj ka hise me 10 për qind të aksioneve, janë edhe këto: botimi i librave dhe gazetave tregtia me pakicë me gazeta dhe shtyp, tregtia me pakicë në shitore të specializuara, tregtia me pakicë me mall të përdorur, veprimtari kontabilistike, shitblerje e pasurive të paluajtshme, dhënia me qira e pasurive të paluajtshme, organizimi i ekspozitave, panaireve dhe kongreseve, veprimtaria, dekorimi e modelimi, veprimtari të tjera relaksuese, etj. (shih dokumentin)
Pronarë të tjerë të kompanisë ku është hisedar z.Martin Berishaj, në fillet e saj, ishte edhe drejtoresha e firmës nga Sllovenia, Cetis, znj.Simona Potocnik, pastaj në kompaninë Nacional, është edhe kompania tjetër kroate, Nirvana – me përfaqësues drejtorin e saj, Arsen Dobrota, një tjetër firmë krotate ‘Lucrum’ me përfaqësues drejtorin e saj, Vilim Kolaric si dhe në fund, z.Martin Berishaj.
Ndërkaq, me kalimin e viteve, aksionarët e kompanisë shtohen / ndërrohen por emri i Martin Berishajt qëndron aty.
NACIONAL SH.A.- kishte regjistruar degën e saj si biznes edhe në Kosovë, më datë 22.12. 2010.
Bazuar në të dhënat e ARBK-së, ky biznes është pasivizuar (por nuk është shuar), më datë 9 qershor 2022. Aktivitet kryesor e ka organizmin e lojërave të fatit.
RIKUJTOJMË MEGA SKANDALIN E GEN-it
Mediat sllovene e kishin zbuluar vitin e kaluar, një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.
Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, dyshohet që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Planet TV slloven, pati raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.
Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe emaili i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook-ut.
Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze, ku pronar është Berishaj është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit.”