Gazeta Insajderi ka zbuluar se një person i besueshëm i Martin Berishajt hapi në Kosovë një firmë që do të merrej me tregtinë e rrymës. Hapja e kësaj firme u bë një muaj para se të shpërthente skandali i Berishajt në Slloveni. Pas shpërthimit të skandalit dhe popullarizimit të Berishajt si person i përfshirë në afera korruptive, krahu i djathtë i tij nuk procedoi tutje me aktivizimin e firmës që parashihej të fitonte nga tregtia e shtrenjtë e rrymës
Visar Duriqi
Ishte fundi i prillit 2022 kur mediumi slloven Planet.tv kishte raportuar për një skandal të madh financiar për ndikim në zgjedhjet atje. Figura kryesore e kësaj afere: Ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe firma e tij “MB Conulting”.
Raportohej për mbi 600 mijë euro para kesh. “Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private “MB Consulting” në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raportonte media sllovene.
Një muaj para se opinoni publik të shokohej nga veprimet e Berishajt, në prapaskenë kishte ndodhur një zhvillim i rëndësishëm.
Gazeta Insajderi ka zbuluar se krahu i djathtë i Martin Berishajt, Nahit Haxhiveseli, kishte hapur në Kosovë një firmë të shitblerjes së rrymës. Bashkë me një biznesmenë nga Shqipëria.
Por, pas shpërthimit të skandalit kishte pasur ngecje në ecurinë e zhvillimit të kësaj firme. Ndonëse janë përdorur dhjetëra mijëra euro për themelimin e kësaj kompanie, ajo ende nuk ka aplikuar për licencë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë. Duket se shpërthimi i skandalit të Berishajt ka ndikuar që krahu i djathtë i tij të pezulloj përkohësisht qëllimet e tij për të përfituar nga tenderët e majmë të tregtisë me rrymë.
Hapja e firmës për tregti me energji
Nahit Haxhiveseli tërhoqi 37 mijë euro nga xhirollogaria e Martin Berishajt më 24 nëntor 2021. Pa ndonjë shpjegim, pos “për nevoja të biznesit”. Kjo e dhënë zbulohet në transaksionet e firmës MB Consulting, dosjën e plotë të së cilës e posedon Gazeta Insajderi.
Ky biznesmen katër muaj pas kësaj tërheqje do të krijonte një firmë për tregti me energji, derisa vet Ambasadori Berishaj vazhdonte të ishte në biznesin e tregtisë së rrymës me GEN-i, dega në Beograd.
Më 16 mars 2022 u regjistrua firma “SPV Dardania” Sh.P.K. ku ortak me 26 përqind të aksioneve është Nahit Haxhiveseli, kurse ortak i madh në firmë del të jetë Aida Spahiu me 74 përqind të aksioneve.
Insajderi e ka pyetur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) në Kosovë për këtë firmë, por sipas tyre e njëjta nuk posedon ndonjë licencë valide për tregti të energjisë.
Firma nuk del që posedon licencë valide, ani pse sipas shënime vë Ministrinë e Tregtisë për krijin e saj janë përdorur 70 mijë euro si kapital themelues.
Martin Berishaj e Nahit Haxhiveseli, veprimet e përbashkëta të dyshes së dyshimtë
Berishaj e Haxhiveseli janë të pandashëm në prapaskenat e sektorit të energjisë.
Afërsia e tyre dëshmohet në dosjen e siguruar nga Gazeta Insajderi, në të cilën gjenden të gjitha transaksionet e xhirollogarisë së ambasadorit Berishaj që nisin nga viti 2015 e deri në pranverën e vitit 2022.
Ndër transaksionet e shumta që janë kryer përmes kësaj xhirollogarie, figuron edhe ajo e fundit të nëntorit 2021. Biznesmeni kosovar Nahit Haxhiveseli kishte tërhequr para kesh nga xhirollogaria e Martin Berishajt. Janë 37 mijë euro të tërhequra nga ai përmes kësaj xhirollogarie, me vetëm një shpjegim, “për nevoja të biznesit”.
Nuk është dhënë asnjë shpjegim se për çka janë përdorur këto para, por një hulumtim i Insajderit ka zbuluar lidhjen e fuqishme mes Berishajt dhe biznesmenit Haxhiveseli.
Po ashtu, Haxhiveseli është i regjistruar si pronar i vetëm i firmës “MB Consulting”, në Kosovë. Nuk dihen arsyet se pse Berishaj ia ka deleguar Haxhiveselit pronësinë zyrtare të firmës së tij e cila në Mal të zi është e regjistruar ne emër të Martin Berishajt.
Përpos pronësisë zyrtare të firmës së Martin Berishajt, Nahit Haxhiveseli ka të regjistruar në Ministrinë e Tregtisë së paku edhe në disa biznese tjera.
“Toka SH.P.K.” e ka si biznes ku është i vetmi pronar dhe operon që nga viti 2002- aktiviteti kryesor për këshillime kompjuterike.
Në vitin 2013 si pronar i vetëm regjistroi edhe biznesin “Ideal Kosova” me aktivitet shitjen me shumicë të produkteve kimike, derisa po atë vit regjistroi edhe biznesin “VizBox” si kompani të ofrimit të shërbimeve të telekomunikimit kabllor, por që me një njoftim të më vonshëm del që e certifikatën e tij e ka shpallur publikisht të pavlefshëm.
Insajderi po ashtu ka kontaktuar biznesmenin Nahit Haxhiveseli në kontaktet që ai ka vënë në bizneset e tij për ta pyetur për fillimisht raportin me Martin Berishajn e pastaj edhe për tërheqjen e shumës prej 37 mijë eurosh nga xhirollogaria e Ambasadorit.
Insajderi e ka pyetur edhe për firmën e krijuar në mars 2022 për tregti të energjisë, “SPV Dardani” Sh.P.K, por Haxhiveseli deri më tash nuk është përgjigjur.
Në anën tjetër, partneri i tij i biznesit Martin Berishaj ende mbetet emri më i përfolur në Kosovë për dyshimet se është i përfshirë në pastrim parashë, financim të fushatës së Vetëvëendosjës së Kurtit si dhe për përfshirjën në skemën rajonale të mafisë energjetike.
Gazeta Insajderi gjatë kësaj jave ka publikuar një sërë hulumtimesh lidhur me veprimet e dyshimta të Berishajt.