Autoritet serbe po marrin sinjale se Uashingtoni zyrtar nuk e sheh favorshëm zgjedhjen e drejtorit të ri të BIA-s, Aleksandar Vulin, ka shkruar media N1 me degë në Beograd.
Beogradi zyrtar ka marrë mesazhe të ngjashme diplomatike disa herë gjer më sot, dhe se sinjali i fundit erdhi nga ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill në takim me kryediplomatin serb, Ivica Daçiq.
Nga burime të mirëbesueshme diplomatike, N1 thotë se Hill i ka thënë Daçiq se bashkëpunimi me BIA-n do të jetë “thellësisht i ngrirë” në periudhën në vijim dhe se në bisedimet mes Uashingtonit dhe Beogradit është konkluduar se “zgjedhjet e personelit” në Agjencinë e Informacionit të Sigurisë (BIA) përbëjnë problem të madh për ShBA.
Në anën tjetër, Hill ka thënë se ShBA dëshiron të intensifikojë bashkëpunimin me disa departamente të Qeverisë së Serbisë, përfshirë Ministrinë e Brendshme. Hill i tha Daçiqit se së shpejti do të organizojë vizitë të Ministrit të Policisë, Bratislav Gashiç në Uashington.
Kujtojmë se Gashi ishte drejtor i BIA-s deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë, ndërsa si njeri i parë i agjencisë së inteligjencës e zëvendësoi Aleksandar Vulin, i cili është përkrahës i hapur i politikës ruse.
Gjatë kohës si ministër i Policisë, Vulin pati disa takime me Sekretarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Nikolai Patrushev, me të cilin ranë dakord të bashkëpunojnë në luftën e përbashkët kundër kryengritjeve popullore, të njohura më mirë si “revolucione me ngjyra”.
Anëtari i opozitës ruse Vladimir Kara-Murza e akuzoi Vulin se e kishte përgjuar atë gjatë kohës që ishte ministër i Policisë dhe se i kishte dorëzuar ato transkripte në Moskë. Vulin mohoi lajmin dhe njoftoi padi kundër Kara-Murza dhe mediave që transmetonin deklaratat e tij.