Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se plani franko-gjerman i ka penguar më së shumti Beogradit, pasi sipas tij, aty përmenden termat si territorialiteti, sovraniteti, barazia e demokracia.
Zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, që është edhe shef i ekipit negociator të Kosovës, në një intervistë për Euronews e nxori në rrenë shefin e tij, duke thënë se nëse bëhet një fokus në elementet “de jure”, atëherë i bie që propozimi franko-gjerman mbështet pozicionin e Serbisë, se aktualisht s’ka kushte për arritjen e njohjes reciproke.
“E përsëris, nuk duhet t’i zbulojmë elementet e dokumenteve, por nëse fokusohemi në elementet “de jure”, atëherë mund të themi se dokumenti mbështet qëndrimin e Serbisë se aktualisht nuk ka kushte për njohje reciproke”, ka thënë Bislimi për Euronews, i pyetur nëse brenda propozimit është dhe njohja reciproke
Bislimi ka theksuar se palët janë dakorduar që të mbajnë sekrete detaje të propozimit.
Ai tha se në momentin që do të ketë një lloj progresi, atëherë publiku do të njoftohet për gjithçka.
“Tani ju vetë deklaruat se propozimi është sekret. Nuk është sekret, sepse përmban diçka që publiku nuk duhet ta dijë dhe ta diskutojë, por është sekret, sepse që në fillim ka qenë një marrëveshje për të mbajtur thelbin e marrëveshjes larg syrit të publikut, në mënyrë që të mos cenojmë procedurat vetë. Megjithatë, në momentin që do të bëjmë njëfarë progresi, gjithçka sigurisht që do të njoftohet”, ka thënë Bislimi.
“E përsëris, pavarësisht komenteve të mia se jam dakord me fshehtësinë e thelbit të marrëveshjes, ju insistoni të zbuloni detajet. Duke folur nga perspektiva e Kosovës, ne kemi nënshkruar 33 marrëveshje në Bruksel dhe asnjëherë nuk është tentuar që këto marrëveshje të klasifikohen sipas rëndësisë. Prandaj, ka marrëveshje që janë nënshkruar shumë më herët para marrëveshjes për asociacionin e komunave”.
“Marrëveshja për asociacionin e komunave është nënshkruar më 19 prill 2013, por shumica e marrëveshjeve të tjera janë nënshkruar para kësaj dhe Serbia nuk ka zbatuar asnjërën prej tyre. Prandaj, nëse vonojmë, vonojmë edhe me marrëveshje të tjera. Pra, pse po shohim vetëm një nga shumë? Serbia ende nuk e ka zbatuar marrëveshjen për targa të vitit 2011, e cila është shumë më e rëndësishme për ne. Serbia gjithashtu nuk ka respektuar marrëveshjen për të dhënat kadastrale, e cila daton para marrëveshjes së asociimit dhe që është shumë më e rëndësishme për ne. Kështu që këtë shqetësimin për vonesën e konsideroj artificial. Brukseli ka konstatuar se shumë marrëveshje nuk janë zbatuar, por lista e marrëveshjeve që Serbia nuk i ka zbatuar është dyfish më e gjatë se lista e marrëveshjeve që Kosova nuk i ka respektuar. Prandaj, ku e ka argumentin Serbia që të insistojë që ne nuk kemi zbatuar një marrëveshje, ndërsa ata vetë nuk respektojnë shumicën e marrëveshjeve që kanë nënshkruar. Megjithatë, lista e marrëveshjeve që Serbia nuk i ka zbatuar është dy herë më e gjatë se lista e marrëveshjeve që Kosova nuk i ka respektuar”.
Bilsimi në këtë intervistë foli edhe për çështje të tjera, përfshirë incidentin e 6 janarit në Shtërpcë, ku mbetën të plagosur dy të rinj serbë.
“Pritjet për Kosovën janë aq të larta sa edhe një incident i tillë merr vëmendje të madhe – kur dikush përballet me një situatë ku i bllokohet rruga dhe qëllon në asfalt – e ku të gjithë e denoncuan dhe ne jemi të lumtur që personi u arrestua dhe se sistemi ynë legal do të marrë verdiktin”, tha ai.