Përleshjet në komunikacion janë raste mjaft të shpeshta në rrugët e Kosovës, që nisin si zënka dhe eskalojnë në rrahje brutale. Shoferët e këmbësorët janë ata që kapen me njëri-tjetrin, qoftë për shkak të shkeljeve në komunikacion, apo edhe mosmarrëveshjeve të tjera, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në rrugën “Beqir Kastrati” në Gjakovë, ku janë të përfshirë dy 16-vjeçarë, njëri si shofer, e tjetri si këmbësor, ku ky i fundit u rrah brutalisht nga i dyshuari. Për të mos mbaruar me kaq, gjatë kësaj përleshje u përdor edhe thika.
Këmbësori i mitur që u sulmuar, po dyshohet se u ther disa herë me thikë dhe për pasojë ka marrë plagë në kokë, sy, këmbë e pjesë të tjera trupore. Kështu kanë bërë të ditur burimet nga Emergjenca, që njoftuan se 16-vjeçari u pranua në gjendje serioze në këtë qendër.
I njëjti ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë, ku ka rrëfyer për ngjarjen që kishte ndodhur. Ndërsa i dyshuari për sulmin ndaj tij, ka rënë në prangat e Policisë dhe pas intervistimit, është dërguar në mbajtje për 24 orë.