Zyrtarët policorë shpeshherë janë cak i sulmeve nga qytetarët në rastet kur ata intervenojnë, por edhe në salla gjykimi, nga personat që ulen në bankën e të akuzuarve. Incidente të tilla shkaktohen edhe si pasojë e mllefit nga vendimet e Gjykatave, por edhe nga mosmarrëveshjet mes palëve të përfshira, raportin Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku një 19-vjeçar ka sulmuar një zyrtar policor në seancën që po mbahej ndaj tij, në lidhje me një rast të dhunës në familje.
I riu, J.A., i cili po dyshohet për dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij, fillimisht ka pasur sjellje agresive ndaj saj, e më pas e ka sulmuar fizikisht një polic, të cilin e ka kapur për krahu, duke shkaktuar kështu telashe brenda sallës së gjykimit.
Pas këtij veprimit, Policia ka intervenuar menjëherë, me ç’rast i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku do të intervistohet nga hetuesit policorë, teksa veprimet tjera do të merren brenda afatit ligjor.