Lista Serbe e ka quajtur ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, dyfytyrësh për shkak të deklaratave që ai i ka dhënë për plagosjen në Shtërpcë.
“Ministri ilegal i Kurtit, Nenad Rashiq tregoi se çfarë njeriu me dy fytyra është kur bëhet fjalë për tentim vrasjen e një djali në Shtërpcë në ditën e Krishtlindjeve”.
Ata thonë se Rashiq, fillimisht, në një deklaratë për mediat në Serbi, e ka quajtur rastin tentim vrasje dhe e ka lavdëruar kryeministrin Albin Kurti dhe institucionet e Kosovës për veprimet e ndërmarra lidhur me këtë rast.
Më pas Lista Serbe i është referuar një deklarate që Rashiq e ka dhënë, ku tha se “deklarata i është keqkuptuar dhe nxjerrë jashtë kontekstit”.
“Për shkak të tentimit të drejtpërdrejtë për të minimizuar përgjegjësinë e atij që tentoi t’i vriste Stefanin dhe Milloshin, më vjen mirë që Rashiq nuk ka mundësi që t’i vizitojë ata, pasi do të shtrohej pyetja se çfarë mund tu thoshte atyre kur brenda dy ditëve ndërron deklaratat e tij. Nuk përjashtohet mundësia që nesër Stefani e Milloshi të fajësohen për atë që ka ndodhur”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.