Në adresimin e tij vjetor, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendoi se janë nëntë shtete të cilat kanë tërhequr njohjen e Kosovës, shkruan Insajderi.
Në mesin e këtyre nëntë shteteve ai listoi edhe Somalinë.
Por, përmes një cicërime në Twitter, ambasadori somalez në Turqi, Jama A Mohammed, njoftoi se ka takuar ambasadorin kosovar në Turqi, ku, siç shkroi ai, “diskutuam për zgjerimin e marrëdhënieve tona bilaterale”.
“Jam i nderuar të pres Agon Vrenezin, ambasadorin e Kosovës në Turqi. Kemi diskutime produktive në zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe shkëmbim të informacioneve dhe pikëpamjeve rreth çështjeve aktuale në rajon”, shkroi ambasadori somalez në Twitter.
Somalia më 19 maj të vitit 2010 notën diplomatike të njohjes ia kishte dorëzuar asokohe Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Në notën njohëse thuhej gjithashtu se qeveria e Somalisë ishte e vetëdijshme për kontributin jetik që Republika e Kosovës ka dhënë për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.
Më 4 janar të këtij viti, Presidenti i Serbisë, e paraqiste si sukses të fushatës ndërkombëtare të Serbisë për çnjohjen e Kosovës.
“Kemi nëntë vende që e kanë tërhequr njohjen, presim të dhjetën”, tha Vuçiq.
Çnohjet që Vuçiq i pretendonte vnin nga Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia e Maldivet.
Serbia pretendon se janë vetëm 88 shtete në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që pranojnë/njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa Kosova thotë se janë 117 prej tyre, siç paraqiten në uebsajtin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Njohja ndërkombëtare e një shteti është një akt de jure i pakthyeshëm, ndonëse në rastin e Kosovës, si një jo-anëtare e OKB-së, kthehet në mungesë votash, në rast se ka lëkundje në qëndrimin e ndonjë shteti ndaj Kosovës në të ardhmen.