Kryeministri Albin Kurti postoi në Facebook një shkrim me një fotografi si përmbledhje e punëve të Qeverisë gjatë vitit 2022 në fushën e sundimit të ligjit. “Qeveria kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, e titullon Kurti vitin e qeverisjes së tij.
Analisti Valon Syla i ka bërë një pyetje publike Kryeministrit Kurti lidhur me deklarimin e tij të fundit. Ai i kërkon Kurtit ta përmend një “emër të madh” që është arrestuar për krim dhe korrupsion gjatë qeverisjes së tij.
“Albin Kurti po lavdërohet se e çrrënjosi krimin e organizuar për këto 2 vite në vend. Atëherë, një pytje publike për Kryeministrin Kurti. Pyetja është; Kush u arrestua për krim e korrupcion për këto 2 vite në Kosovë. Përmende një emër të madh?”, ka shkruar Syla.
Postimi i mëhershëm i Kurtit:
Gjatë vitit që lamë pas, kemi vazhduar me zbatimin e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës:
U realizuan 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës;
U arrestuan 3202 veta, prej tyre 301 zyrtarë publikë;
Mbyllëm 16 rrugë ilegale në veri të vendit;
Shkatërruam 69 grupe kriminale;
U konfiskuan mbi 1.8 ton substanca narkotike;
Shkatërruam 5 laboratore të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe 3 laboratore për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri;
Mbi 14 milionë euro janë ngrirë nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërlarjes së parave;
Janë sekuestruar mbi 300 mijë litra karburante që s’ishin konform me aktet nënligjore;
Ndërtuam 4 objekte dhe stacione policore në veri të Kosovës si dhe bëmë shtrirjen e rrjetit optik në atë pjesë të vendit tonë, duke mundësuar shtrirjen e valëve telefonike, rrjetit të internetit dhe komunikimit me radiolidhje;
Krijuam Njësitin e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili angazhohet në luftimin e kontrabandës, trafikimit me qenie njerëzore dhe keqpërdorimeve të tjera përgjatë vijës kufitare.