Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre
Shkaktar për konfliktet familjare në shumë raste është edhe abuzimi me substanca narkotike dhe alkool.
Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në një familje në Mitrovicën e Veriut, ku një 27-vjeçar dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij.
51-vjeçarja ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital për shkak të lëndimeve që mori si pasojë e dhunës, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin, i cili në stacion policor i është nënshtruar edhe testit për alkool, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor.