Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka takuar sot Stuart Peach, të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Sveçla e ka njoftuar atë se Kosova është sfiduar në vazhdimësi në aspektin e sigurisë nga faktorë të jashtëm me qëllim të destabilizimit.
Kisha nderin e veçantë që të pres sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme Lord Stuart Peach, i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor. E njoftova Lord Peach mbi angazhimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme sipas prioriteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës në sundimin e ligjit dhe luftimin e pakompromis të krimit dhe korrupsionit si dhe për arritjet tona në këtë fushë. Duke qenë se Republika e Kosovës është sfiduar në vazhdimësi në aspektin e sigurisë nga faktorë të jashtëm me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, ritheksova përkushtimin tonë për stabilitet e paqe të qëndrueshme dhe për mirëqenie e siguri për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim. Me Mbretërinë e Bashkuar gëzojmë bashkëpunim të shkëlqyer andaj e falënderova Lord Peach për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për avansimin e shtetit tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.