Drejtori i Ordinancës Gjinekologjike në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, Zef Ndrejaj, ka thënë se numri i lindjeve në vitin 2022 është i njëjtë me vitin paraprak dhe ka treguar se ka pasur afro nëntë mijë lindje gjatë vitit 2022, që më shumë kanë qenë meshkuj.
Rreth 8810 lindje janë kryer në Klinikën e Gjinekologjisë, prej fillimit të vitit 2022, që shënojnë numrin e përgjithshëm të lindjeve gjatë vitit që po lëm pas.
Një përgjigje të tillë për Portalin Dukagjini, e ka dhënë drejtori i Ordinancës Gjinekologjike në këtë Klinikë, Zef Ndrejaj.
Prej tyre siç ka njoftuar Ndrejaj, lindje me dy fëmijë (binjakë apo lindje gemellare) janë afro 234.
Ndërsa, lindje me tre fëmijë (lindje trigemini) gjatë vitit 2022 kanë qenë gjithsej 21.
Portali Dukagjini ka adresuar një pyetje për të parë se a ka qenë më i lartë numri i meshkujve apo femrave të lindur në Klinikën e Gjinekologjisë dhe nga shifrat e drejtorit të KOGj mund të konkludohet se numri më i madh i foshnjave të lindura kanë qenë meshkuj. Janë afro 200 foshnja diferencë nëse krahasohen me foshnjat femra.Kjo për shkak se 4500 foshnje të lindura kanë qenë meshkuj, ndërsa 4310 femra.