Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) si institucion përgjegjës që siguron zbatimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil ka përmbyllur vitin 2022 me numër më të madh të lëndëve të pranuara dhe rrjedhimisht të shqyrtuara që nga themelimi i tij në vitin 2004.
Ky këshill, i cili drejtohet nga Jeton Koca, në periudhën 01.01.2022 – 28.12.2022 ka pranuar/regjistruar gjithsejtë 1 175 ankesa ku të përfshirë kanë qenë gjithsejtë 2 043 nëpunës civilë/kandidatë për pranim në shërbimin civil të Kosovës.
“Prej tyre 1125 ankesa janë parashtruar individualisht nga nëpunësit civil apo kandidatet për pranim në Shërbimin Civil, ndërsa 50 ankesa janë parashtruar nga grup ankuesish ku të përfshirë kanë qenë gjithsejtë 918 nëpunës civil. Këshilli, përveç ankesave të pranuara brenda këtij viti, ka pasur për shqyrtim edhe 317 ankesa të bartura nga viti 2021, dhe 197 ankesa të viteve paraprake për të cilat Këshilli u detyrua për vendosje nga Gjykata Themelore në Prishtinë/Departamenti për Çështje Administrative”, ka njoftuar KPMShCK-ja.
Duke u bazuar si më lartë, rrjedh se në vitin 2022, KPMShCK-ja ka pasur për shqyrtim gjithsejtë 1 689 ankesa, ku prej tyre 1 330 apo 78.75 për qind të ankesave janë shqyrtuar dhe palët janë njoftuar lidhur me vendimmarrje, ndërsa 359 apo 21.25 për qind të ankesave janë në proces të shqyrtimit brenda afateve ligjore prej 45 ditësh siç përcaktohet me dispozitat e nenit 17 të Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.