Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani ka thënë se misioni i EULEX-it në Kosovë nuk është shumë aktiv nga aspekti policor.
Ai, duke komentuar kërkesat e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, që të luajë rol më të madh për krizën në veri, ka thënë se me EULEX-in ky nuk është rasti.
E madje, sipas Hasanit, EULEX-i edhe po të ishte prezent gjatë vrasjes së një njeriu, nuk do të mund të ndërhynte.
“Mandati i EULEX-it është me mandat tjetër, jo me dërgu helikopterë në cep të Kosovës për me arrestu njerëz. Me pa qaty duke e vra njeriun, s’ka mandat me rrokë përpara se s’është detyrë e tij. Mundet me qenë vetëm dëshmitar, por ka edhe imunitet dhe nuk të vjen”, ka thënë Hasani në Pressing të T7.
Hasani ka vlerësuar se ndërhyrja e Policisë së Kosovës për heqjen e barrikadave do të duhej të arsyetohej mirë para shteteve aleate, sepse një veprim i tillë, sipas tij, më shumë do të mund të hapte probleme të reja, se të evitonte të vejtrat.
Sipas Hasanit, kriza në veri duhet të zgjidhet me marrëveshje politike.