Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi ka thënë se këto dy dokumente janë kërkuar nga Komisioni i MKRS-së për procesin e licencimit të FFK-së, ndërsa i ka quajtur “dezinformata” raportimet se Ademi fillimisht e kishte dorëzuar një dokument që shërben për t’u pajisur me vizë, për çka pastaj Komisioni ia ktheu mbrapsht duke i kërkuar certifikatë unike nga Gjykata.
Mirëpo, këto dy dokumente të publikuara nga Ademi sërish po konsiderohen të dyshimta.
Në njërin dokument është e plotësuar vetëm se nuk është i dënuar. Por, nuk është i plotësuar nëse është duke u zhvilluar procedurë penale ndaj tij.
Në fakt, para një kohe, Ademi ishte dënuar në dy shkallë gjyqësore me 9 muaj burgim për një rast jashtë futbollit të vitit 2012. Mirëpo, rasti tashmë ka shkuar në rigjykim nga Gjykata Supreme.
Në dokumentin tjetër të publikuar, Ademi e nxjerri një vërtetim jo në emrin e tij personal, si subjekt fizik, por të Federatës së Futbollit të Kosovës si subjekt juridik.
Njëri dokument është nxjerrë me datën 30 nëntor, kurse tjetri më 1 dhjetor. Dokumentet janë të lëshuara nga referenti, Agim Bytyçi.
Sidoqoftë, Komisioni për Vlerësim dhe Licencim të Federatave Sportive i MKRS-së mbetet t’i vërtetojë këto dokumente të Ademit gjatë shqyrtimit të riaplikimit të FFK-së për marrje të licencës.
FFK-ja kishte aplikuar për licencim në MKRS, por Komisioni kishte gjetur disa mangësi dhe kishte kërkuar nga FFK-ja t’i korrigjojë ato dhe t’i dërgojë të përmirësuara në mënyrë që FFK-ja të licencohet duke i respektuar kriteret e licencimit.
Përpos certifikatës së kërkuar të Agim Ademit, ky Komision kishte edhe disa vërejtje tjera nga aplikimi i FFK-së.
Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, që mbahet nga Taulant Hodaj si ushtrues i detyrës, është kushti tjetër i rëndësishëm në procesin e licencimit. Nga Komisioni kërkohet që FFK-ja të ketë një person në këtë pozitë, siç e kërkon edhe Statuti i Federatës.
Vërejtja tjetër lidhej me Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, që aktualisht ka 11 anëtarët, kurse me Statut kërkohet të ketë 13 anëtarë.
Këshilli Mbikëqyrës i punës, që emërohet nga Kuvendi i Anëtarëve të organizatës sportive, është një kusht që gjithashtu i mungon FFK-së.
Komisioni nga MKRS-ja gjithashtu ka gjetur se Statuti i FFK-së nuk është tërësisht në harmoni mbi bazat ligjore me Kodin Etik dhe Disiplinor të FIFA-s e UEFA-s.
FFK-së i mungon rregullorja anti-doping, që gjithashtu nga Komisioni është kërkuar që t’ia sjellë atë.
Sipas Komisionit në fjalë, FFK-së po i mungojnë edhe dëshmitë që i ka të themeluara dhe funksionale plotësisht strukturat qeverisëse, që përmbajnë vendime, procesverbale dhe kontrata, siç është procesverbali i Kuvendit të Fundit Zgjedhor, ku Agimi Ademi u rizgjodh sërish Kryetar.
Vërejtjet e Komisionit i janë dërguar Federatës së Futbollit të Kosovës, teksa mbetet të shihet në vazhdim se si do të shkojë procesi i licencimit të kësaj Federate.