Dimal Basha, Adnan Rrustemi dhe Artan Abrashi janë tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilëve, siç duket po iu shteron durimi me mosreagimin e KFOR-it në Veri. Ata po kërkojnë që KFOR-i t’i heqë barrikadat në Veri ose t’ia lëshojë rrugën Policisë së Kosovës, pasi sipas tyre, i kanë të gjitha kapacitetet.
Deputeti i VV-së, Artan Abrashi dje në një postim në Facebook ka thënë se është e papranueshme që KFOR-i të kërkojë negociata me krimin dhe bandat kriminale dhe të armatosura.
“KFOR-i kërkoi pak kohë për heqje barrikadash, ndërkaq sot kur u bënë 14 ditë thotë të zgjidhet kjo çështje me dialog. Si ndodhi kjo që nga pak kohë për heqje të barrikadave të kalojmë te negociimi me krimin dhe bandat kriminale e të armatosura. Kjo është vërtetë e papranueshme. KFOR-i të përmbush misionin e tij ose barrikadat i heq Policia e Kosovës ashtu siç ka shprehur gatishmërinë dhe ka kapacitetin. Rendi dhe ligji nuk mund të dialogojnë me bandat kriminale”, ka shkruar Abrashi.
Ndërkaq, Adnan Rrustemi ka bërë një renditje të gjërave. Ai përmendi bllokimin e rrugëve nacionale, barrikadat e vendosura, dhe rekomandimin e KFOR-it për zgjidhje të situatës së tensionuar përmes dialogut.
Ai tha se këto deklarata dhe kjo “zhagitje” po bëhen të papranueshme dhe sipas tij janë duke e kaluar çdo pritje.
“Këto deklarata dhe kjo zhagitje vërtetë po bëhen të papranueshme dhe janë duke kaluar çdo pritje. Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojë. Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë”, ka shkruar Rrustemi.
Edhe deputeti tjetër i partisë në pushtet, Dimal Basha, ka kërkuar reagim më të shpejtë të KFOR-it.
Ai tha se nëse KFOR- i dëshiron të qëndrojë indiferent ndaj kriminelëve, atëherë sipas tij “le t’ia lëshojë udhën Policisë së Kosovës”.
“Pas 15 dite, KFOR-i paska thanë që duhet dialog me bandën e Radojçiqit për zhbllokimin e barrikadave! A keni fol me ambasadën se ky me shokë janë n’listën e zezë të Amerikës? Nuk besoj që Amerika ua miraton këtë deklaratë! Tjetra, po i njejti me shokë janë të kërkuar prej forcave tona policore për plotë vepra kriminale! Kur të takohen me policinë nuk ka dialogim, veç arrestim! KFOR-i është duke gabuar që po e politizon pozitën e vet, sepse po e humb kredibilitetin tek qytetarët duke mos ushtru mandatin e tyre! Nëse dëshironi me qëndru indiferent ndaj kriminelëve, në rregull, vetëm lëshoni udhë sepse policia jonë është deklaru që ka kapacitete me i hjek pengesat, por m’u nënshtru asnjëherë!”, ka shkruar ai në Facebook.
Kujtojmë që dje KFOR ka kërkuar zgjidhje përmes dialogut, ndërsa Sveçla në një konferencë për media të enjten shprehi gatishmërinë e Policisë së Kosovës për t’i hequr barrikadat.
Sot është dita e 15-të prej kur serbët lokalë kanë vendosur barrikada nëpër rrugë, në shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq.