Mosmarrëveshjet lidhur me çështje të ndryshme, shpesh herë shkaktojnë telashe të mëdha mes qytetarëve. Përpos konflikteve verbale, ata me raste eskalojnë edhe në fyerje, ofendime e kërcënime serioze mes njëri-tjetrit, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Prishtinë, ku një 47-vjeçar dyshohet se ka kërcënuar me jete një person.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në lokalin e një pompe derivatesh në lagjen Kalabria, ku pas një mosmarrëveshje që kishin dy personat e përfshirë në rast për një veturë, i dyshuari ia ka bërë me dije viktimës mllefin që ka duke i thënë se vetëm plumbi e pastron këtë punë, mirëpo për shkak të lokacionit ku ndodheshin, ai nuk mori veprime të cilat mund të përfundonin keq.
I shqetësuar dhe i frikësuar nga kërcënimet që mori, viktima ka denoncuar rastin në Polici, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje gjithë atë që ka ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.