Pjesëtarë të shumtë të Policisë së Kosovës ka javë që po qëndrojnë në veri të Kosovës, në mbrojtje të sovranitetit të vendit.
Shumë prej tyre kanë mbetur të bllokuar në Jarinjë që 13 ditë.
Ata u nisën atje me uniforma të vjetërsuara, pa sigurim të shëndetit e jetës e me paga të vogla.
Sikur të mos mjaftonin krejt këto telashe me të cilat përballen policët e Kosovës, disa grupe prej tyre për gati dy javë po qëndrojnë të bllokuara dhe shpesh me mungesa edhe të ushqimit, për çka janë detyruar KFOR-i dhe EULEX-i që t’u ndihmojnë.
Ata kështu po e shijojnë pushtetin e Albin Kurtit, i cili erdhi në pushtet me pretendimet që do t’ua rrisë pagat dhe t’u sigurojë kushte të dinjitetshme për punën e tyre fisnike.
Madje, katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës për katër ditë mbetën të bllokuar në një fshat të Leposaviqit në një autoblindë mes dy barrikadave.
Për katër ditë e net ata mbetën të bllokuar, pa ushqim dhe pa derivate me vete.
Veç një ditë pas raportimit të Demokracia.com, ata u tërhoqën nga forcat e KFOR-it.
Pavarësisht kësaj, pjesëtarët e policisë në biseda me gazetarë thonë se janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për ta mbrojtur vendin.
E para tyre probleme me pushtetin e shpresës, që erdhi në pushtet me votën e 51 për qind të qytetarëve patën edhe dy kategori të tjera, mësimdhënësit dhe mjekët.
Përderisa mësimdhënësit u futën në grevë për një muaj dhe e ndërprenë pavarësisht se kërkesat e tyre nuk u plotësuan, mjekët vepruan ndryshe. Shumica prej mjekëve e braktisën vendin e punës, madje edhe Kosovën. Ata i braktisën spitalet e Kosovës për kushte më të mira të punës në vende të ndryshme të botës. Mbi 400 mjekë kanë ikur nga Kosova vetëm për tre vjet.
Mjekët nuk janë pajtuar me kushtet e punës, me politikat shëndetësore dhe pagat.
Mësimdhënësit kosovarë kanë paralajmëruar sërish greva nëse kërkesat e tyre nuk u plotësohen.
Kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, nuk e ka mohuar se mund të ketë grevë në janar.
Një prej zërave më të fuqishëm sindikal, i cili përgjatë muajit shtator të këtij viti u bë figurë e padëshiruar për individë të caktuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Rrahman Jasharaj, ndaj të cilit filluan edhe linçimet publike, nuk e ka mohuar mundësinë e rikthimit të grevës në arsim nga janari, si rezultat i diskriminimit me Ligjit e Pagave.
“Uroj që Qeveria ta ketë ndjerë atë grevë dhe pasojat që i solli ajo dhe uroj që për kohën që ka mbetur janari të na pret me një pjesë të rezultateve e ai më i madh do të ishte ligji i pagave, në pajtueshmëri me sindikatat. Në të kundërtën, nëse mbesim në situatë zero, anëtarësia do të pyetet prapë. Cilindo vendim që merr anëtarësia kryesia e SBASHK-ut, do ta sjell në jetë dhe do t’i qëndrojë në ballë atij vendimi”, ka thënë Jasharaj.
Edhe pse dje u miratua Ligji i Pagave, punëtorët kosovarë, policët me të cilët entuziazmohemi sa herë shkojnë në veri dhe as mësimdhënësit e mjekët nuk e dinë vlerën e koeficientit të pagës.
Ky ligj dhe ai për zyrtarët publikë është paralajmëruar se do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese, sepse po konsiderohen diskriminues për shërbyesit civil dhe cenues për pavarësinë e shumë institucioneve të pavarura.