Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Artave të Kosovës (AShAK), ka reaguar ndaj kritikave që të mërkurën i mori për shkak të një analize të publikuar në web-faqen e ASHAK-së me titull “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”.
Kryeakademiku pretendon se analiza është shtrembëruar nga disa portale të cilat i akuzon që janë “duke e linçuar”.
“Përgjatë dy ditëve të shkuara disa portale kanë ndërmarrë një fushatë kundër meje dhe institucionit që përfaqësoj, duke bërë citime të shtrembëruara dhe duke manipuluar në mënyrë të shëmtuar lexuesit e tyre. Teksti “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” është një analizë që i referohet Serbisë dhe politikave të saj në Kosovë dhe në Ballkan, denoncon ashpër të gjitha veprimet subversive të shtetit fqinj, përfshirë edhe ndërhyrjet e saj në Gjykatën Speciale”, ka shkruar Kraja në Facebook, të enjten.
Në lidhje me analizën ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, duke e cilësuar publikimin si “pamflet antishqiptar”.
Por Kraja kërkon që para se të jepen gjykime, të lexohet analiza 39 faqe si e tërë.
“Meqë portalet janë duke e manipuluar opinionin, madje duke nxitur reagimin edhe të ndonjë lideri të partive politike, dua t’i inkurajoj lexuesit që analizën e Akademisë ta lexojnë të plotë, të mos krijojnë bindje të gabuara dhe të mos bëhen pjesë e fushatave denigruese”, ka thënë Kraja.
Analiza e publikuar nga Akademia e Shkencave dhe Artave është e botuar më 23 nëntor dhe trajton një mori problemesh e çështjesh.