Dje misioni paqeruajtës i KFOR-i deklaroi se që nga vendosja e barrikadave në Veri, kanë bërë transportimin e nëntë policëve që ishin të bllokuar në pikat kufitare përtej barrikadave, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore. Sot, në një përgjigje për Gazetën Express, Policia e Kosovës, ka thënë se policët e transportuar janë në gjendje stabile shëndetësore, derisa nuk treguan nëse është bërë apo jo zëvendësimi i tyre.
Sot është dita e 12-të prej kur serbët lokalë kanë vendosur barrikada në disa rrugë në Veri, në shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq. Bllokimi i rrugëve ka pasuar me bllokimin e policëve që ishin dhe po vazhdojnë të jenë në Leposaviq dhe Jarinjë.
Mirëpo dje KFOR-i deklaroi se 9 policë të bllokuar janë transportuar nga veriu në jug.
“KFOR-i është në kontakt të ngushtë me PK-në dhe për t’i përkrahur ata kemi transportuar me tokë 9 policë të cilët janë ndjerë të sëmurë”, ka thënë KFOR-i për Kanal10.
Gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe të njëjtit pas pranimit të tretmanit mjekësor janë dërguar në shtëpitë e tyre. Kështu tha Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Shërbime Shëndetësore e PK-së është kujdesur për trajtimin mjekësor të tyre, sipas nevojës së zyrtarëve policorë, ku pas trajtimit të nevojshëm të njëjtit janë dërguar në shtëpitë e tyre”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Mirëpo, Policia e Kosovës nuk ka dhënë një përgjigje të prerë nëse policët e sëmurë janë zëvendësuar me të tjerë, duke thënë se posedojnë kapacitete të mjaftueshme të burimeve njerëzore dhe logjistike.
“Ndërsa sa i përket zëvendësimit të këtyre zyrtarëve policorë dhe numrit të zyrtarëve të angazhuar në veri të vendit, përfshirë ata në pikat kufitare, Policia e Kosovës posedon kapacitete të mjaftueshme të burimeve njerëzore dhe logjistike, për realizimin e detyrave policore”, thuhet në përgjigje.
Për gjendjen e policëve që po vazhdojnë të jenë të bllokuar, i shqetësuar është shprehu edhe kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.
“Është tejkaluar gjithçka e normales, që qe 11 ditë të qëndrojnë në punë ditën edhe natën, ky është shqetësimi jonë. Ambienti ku janë ata nuk është me kushte normale, kanë ushqim të mjaftueshëm, ushqim i konservuar dhe ujë të pijshëm. Ata kanë edhe derivate, por pengesa është që nuk është bërë ndërrimi i policëve. Kjo është shkelje e rëndë që po vjen shkaku i barrikadave”, tha Zeqiri dje për Express.
Kujtojmë se largimin e barrikadave e kanë kërkuar edhe SHBA e BE, mirëpo serbët lokale ende nuk janë bindur për të marrë një veprim të tillë. Ndërsa ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se barrikadat duhet të largohen para Krishlindjeve.
“Qëndrimi ynë është i qartë. Ato janë të paligjshme dhe duhet të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur nga ata që i kanë vendosur. KFOR-i është aty dhe ai ofron një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë. Kështu që jam optimist që do të realizohet shpresoj sa më parë që të mundet, sepse e fundit që na duhet është një përshkallëzim i mëtejmë i situatës. Qeveria e Kosovës e ka depërshkallëzuar situatën. Siç e dini, duhej të mbaheshin zgjedhjet. Dhe tash kërkoj që në veri njerëzit t’i thërrasin mendjes e sidomos lidershipit”, ka thënë ai të hënën.