Sot pas mesnatës në Mitrovicën e Veriut ka ndodhur një shpërthim i një “shok bombe”, me ç’rast janë dëmtuar xhamat e katër lokaleve, në dy prej të cilave nuk zhvillohet ndonjë biznes.
Lidhur me rastin ka reaguar policia.
Nëpërmjet një komunikate, organet e rendit bëjnë me dije se kjo vepër mund të jetë e strukturave kriminale që veprojnë atje.
“Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se shpërthimi mund të jetë veprim kriminal nga strukturat e organizuara kriminale dhe vazhdim i përpjekjeve për të ngritur tensione dhe destabilizim të situatës, në funksion të shtrirjes së ndjenjës së pasigurisë dhe frikës”.
Ky institucion thotë se po punojnë në identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës.
“Policia e Kosovës me njësitet e saj, përfshirë edhe njësinë kundër terrorizmit, po ndërmerr veprime intensive në hetimin e këtij rasti për identifikimin dhe sjelljen para drejtësisë të kryerësve të këtyre veprave kriminale”.