Më 15 dhjetor, grupi paramilitar Ujqërit e Natës/Night Wolves, i cili ka lidhje të drejtpërdrejta me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, publikoi një video kërcënuese nga pjesa veriore e Kosovës në mbështetje të serbëve lokalë dhe barrikadave.
Organizatat radikale ultra-nacionaliste serbe, pas situatës së tensionuar në Veri, kanë ngritur në një nivel tjetër bashkëpunimin me organizatat terroriste ruse në Kremlin, duke përfshirë grupet famëkeqe Wagner dhe Ujqërit e Natës.
Këto grupe kanë thirrur edhe një protestë që do të mbahet sot në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, me mesazhin irridentist: “Nuk ka kufij, Kosova është Serbi”.
Grupi u organizua nga Aleksandër Zaldostanov, ukrainas me origjinë, një ish-stomatolog, i cili ndryshe njihet edhe si “Kirurgu”.
Është pikrisht Zaldostanov, ai që njoftoi në kanalin e tij në Telegram se anëtarët e organizatës së tij, janë prapa barrikadave në veri të Kosovës.
“Fitorja e Serbisë është fitorja e Rusisë”, kishte shkruar ai.
Por, kush janë saktësisht Ujqërit e Natës? Nga kanë ardhur? Çfarë kërkojnë në Kosovë? A është një forcë paramilitare që angazhohet në aktivitete terroriste – një tjetër armë në arsenalin rus të “Luftës së Gjeneratës së Re”?
Lufta jokonvencionale, siç përshkruhet shpesh politika e jashtme ruse, është koduar si “Doktrina Gerasimov”, sipas Valery Gerasimov, gjeneral rus.
Ajo spikat praktikat e Rusisë në përpjekjet e saj për influencë globale duke marrë forma të ndryshme prej rekrutimit të liderëve dhe partive politike nacionaliste e fashiste, e deri te financimi direkt.
Ujqërit e Natës kanë qenë të spikatur edhe më parë në Ballkan, ku ata perceptohen si vija e parë e frontit në përpjekjet e Kremlinit për të rritur ndikimin e saj në rajon.
Në vitin 2018, përkatësisht në muajin mars, Ujqërit e Natës zhvilluan një turne 9-ditor në Ballkan, i përshkruar si një “pelegrinazh” me emërtimin “Turneu i Ballkanit Rus”.
Udhëtimi kishte për qëllim të shfaqte lidhjet e thella midis Serbisë dhe Rusisë, si dhe një mundësi për të treguar mbështetje për Republikën Srpska, entitetit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Yevgeny Strogov, përfaqësues i Ujqërve të Natës, në kufrin Serbi-Bosnjë dhe Hercegovinë kishte deklaruar se “herën tjetër do të shkojmë në Kosovë”.
“Dua të them se historia është ajo që na lidh dhe se ky udhëtim bëhet për nder të princit të madh Dmitry Donskoy dhe princit të shenjtë Llazar”.
Ujqërit e Natës, janë një klub rus motoçiklistësh që gjatë dy dekadave të fundit është shndërruar në një korporatë pan-evropiane dhe një mini-konglomerat me rreth 60 biznese të ndryshme.
Ata janë përfshirë në disa operacione të fshehta të sponsorizuara nga Kremlini në Ukrainë dhe ata dyshohen se ishin të përfshirë në komplotin për vrasjen e Milo Gjukanoviç, presidentit të Malit të Zi.
Vladimir Putin dhe Aleksandër Zaldostanov
Zakonisht në publikun rus njihen edhe si “Engjëjt e Putinit” dhe shihen gjerësisht si një lloj force paramilitare që operon në një sërë rolesh me urdhër të Kremlinit.
Shumë nga drejtuesit e këtij grupi, janë vendosur në listat e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Ata dekorojnë klubet, stemat dhe veshjet e tyre me fotografitë e diktatorit mizor sovjetik, Jozef Stalin, duke e përshkruar atë si një hero rus dhe model për rininë ruse. Njëjtë e shohin edhe Putinin.
Lidhjen e Ujqërve të Natës me barrikadat në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë e tregon edhe historia e këtij grupi me barrikadat.
Në gusht të vitit 1991, Ujqërit e Natës ndihmuan njerëzit në barrikada rreth parlamentit rus kur komunistët dërguan tanke në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e Mikhail Gorbaçov.
Zaldostanov u nderua më vonë me një medalje nga presidenti rus, Boris Yeltsin, për rolin e tij në ndihmën për të penguar përpjekjen për grusht shteti.
Megjithatë, nga fillimi i viteve 2000, Zaldostanov nisi ta transformonte grupin në një organizatë të vendosur nacionaliste ruse anti-perëndimore.
Putin falënderoi publikisht Zaldostanov’in për “shërbimin e tij ndaj Rusisë” dhe në vitin 2013, ai i dha medaljen Urdhri i Nderit për përpjekjet e tij në “edukimin patriotik të të rinjve”.
Që atëherë, klubi i tyre është rritur jashtëzakonisht shumë dhe tani përfshinë rreth 7 mijë anëtarë të shpërndarë në më shumë se 50 lokacione në të gjithë Rusinë dhe Evropën Lindore.
Për më tepër, grupi është zgjeruar në një numër biznesesh shtesë që fokusohen në shërbimet e sigurisë dhe trajnimin paramilitar.
Gjithashtu, ky grup është specializuar në organizimin dhe menaxhimin e postblloqeve, në shpërndarjen e propagandës, mbledhjen e informacionit dhe organizimin e protestave si dhe në shpërndarjen e armëve.
Pas pushtimit të Krimesë nga Rusia, Zaldostanov dhe të paktën 10 anëtarë të tjerë të Ujqërve të Natës iu dha medalja e fushatës ushtarake “Për kthimin e Krimesë”.
Ujqërit e Natës luajtën një rol të ngjashëm në enklavat pro-ruse të Luhanskut dhe Kharkiv në Ukrainën Lindore.
Duke përdorur bazat e tyre dhe platformat e mediave sociale, ata rekrutuan luftëtarë për të shërbyer në ushtritë paramilitare ruse.
Ujqërit e Natës janë vegël e regjimit diktatorial të Putinit për t’i rritur tensionet nëpër vende të ndryshme.
Me shpenzimin e disa mijëra rublave, Kremlini mund të dominojë lajmet lokale, të krijojë pasiguri dhe frikë dhe të minojë legjitimitetin dhe besimin e qeverive kombëtare, thjesht duke dërguar një bandë motoçiklistësh kriminelë në turne.
Nga pikëpamja e krijimit të kaosit dhe pasigurisë, Ujqërit e Natës e kanë treguar veten si një armë e fortë në arsenalin e Kremlinit.
Ndërkohë, larg fushëbetejave të Ukrainës, lufta po troket në derën e NATO-s në Ballkan, ku përpjekjet e mbështetura nga Rusia për të destabilizuar rajonin, për momentin po rezultojnë të suksesshme./Albanianpost