Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet për të mos i dhënë më arsye Serbisë që të zvarrisë procesin e dialogut.
Kështu ka deklaruar analisti politik, Naim Rashiti, në një bisedë me Gazetën Express ku ka analizuar deklaratën e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, i cili tha se nëse Qeveria nuk përfshihet në krijimin e Asociacionin, atë mund ta themelojnë edhe me “partnerë alternativë”.
“I dërguari i SHBA-së Escobar , siç e kam kuptuar, ka paralajmëruar se nëse nuk përfshihet qeveria, procesin do të fillojë në akterë të tjerë alternativë. Kjo do të thotë se do të ketë konsultime me akterë tjerë, por jo se do ta implementojnë. Ajo që është e qartë, është se SHBA-të kanë marrë përgjegjësi ekskluzive për shtyrjen përpara të implementimit të Asociacionit, si marrëveshje e bërë më herët, pra në kuadër të marrëveshjeve të kaluara”, ka thënë ai.
Rashitit thotë se në çdo fazë, përgatitore, konsultative apo të implementimit, SHBA-ja do ta ketë rolin kryesor. Dhe këtu, ai sheh shumë përparësi, sepse SHBA-ja nuk do të lejojë të bëhen gabime dhe do të punohet që Asociacioni të bëhet në kuadër të gjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.
“Por, kjo nuk do të thotë se në kuadër të diskutimit për marrëveshjen e plotë të normalizimit, siç shihet edhe në propozimin franko-gjerman të publikuar tanimë, nuk do të flitet për diçka më shumë në raport me të drejtat për komunitetin serb”.
Rashiti thotë se Asociacioni nuk mund të bëhet pa vendim të Qeverisë meqë statuti që do të ketë ai kërkon miratimin e Qeverisë.
Ai madje propozon që të krijohet një grup punues nga Qeveria që do të hartonte statutin e tij krahas negociatave me Serbinë.
“E rrugës kishte qenë që Qeveria ta ngarkojë Ministrinë për Pushtetin Lokal të fillojë punën, të krijojë një grup punues dhe krahas dialogut për planin franko-gjerman të zhvillohet edhe statuti për ASM-në. Kjo do t’i jepte shumë avantazh Kosovës në dialog”.
Ai thotë se edhe në planin franko-gjerman parashihet qartë implementimi i plotë i marrëveshjeve të kaluara nga të dyja palët, përfshirë edhe Asociacionin.
“Unë mendoj se qeveria aktuale, por edhe shumë akterë e shohin ASM-në si pjesë të marrëveshjes finale, në këtë rast planin franko-gjerman. Por, faktori ndërkombëtar, SHBA-të në veçanti, e shohin ASM-në dhe implementimin e saj, veçmas nga dialogu për marrëveshje finale. Pritjet e faktorit ndërkombëtar për aranzhimet finale dallojnë nga ato të Kosovës, qoftë në përmbajtje, qoftë sa i përket procesit. Pra, nuk mund t’i ikët implementimit të ASM-së”.
Rashiti thotë se ka edhe diçka që nuk po thuhet për Asociacionin, por se për këtë do t’i bëhet presion Kosovës – një model europian për veriun.
“Dhe më shumë siguri se gjatë negociatave të reja do të bëhet presion edhe për aranzhime shtesë për veriun. Pra, pika shtatë kërkon aranzhime për një vetëqeverisje për komunitetin serb. Kjo nuk po thuhet, por po kërkohen modele europiane për veriun e Kosovës se si dhe çfarë forme do të marrë kjo, varet nga negociatat vitin e ardhshëm. Do të ketë presion të madh mbi Kosovën, mbi qeverinë dhe tërë spektrin politik”.
Kështu që, thotë Rashiti, Qeveria e Kosovës duhet të marrë procesin në duart e veta dhe të fillojë përgatitjet për Asociacionin ashtu që të mos devijojë procesi i ndërtimit të marrëveshjes.
Megjithatë, me bindje Rashiti thotë se Qeveria nuk mund të bie për shkak të Asociacionit dhe se kjo s’është as në qëllimin e SHBA-së.
“Jo Qeveria Kurti nuk do të bjerë dhe as SHBA-të e askush nuk do të bëjë përpjekje për rrëzimin apo zëvendësimin e Qeverisë. Dialogu nuk do ta rrëzojë këtë apo ndonjë qeveri, e sidomos jo një qeveri me mbështetje të madhe parlamentare. Por, do të jetë shumë e dëmshme për vendin dhe qeverinë nëse dialogu nuk bën progres vitin tjetër, nëse gjendja në veri mbetet siç është. Kjo situatë pastaj do t’i mundësojë dhe lejojë faktorëve ndërkombëtarë të bëjnë kalkulime tjera në zgjedhjet e ardhshme”, thotë ai, duke vënë në dukje se gjatë vitit të ardhshëm do të ketë presion të madh mbi Kosovën, mbi Qeverinë dhe tërë spektrin politik.
“Qeveria do të bjerë vetëm nëse vendos vetë qeveria. Nëse ndodh kjo, zgjedhjet do të sjellin një rezultat më ndryshe, e cila do të çojë në një koalicion më të madh politik”.
Dhe derisa është një Qeveri që ka shumicën parlamentare, Rashiti thotë se Qeveria duhet të dëgjojë thirrjet e SHBA-së dhe BE-së për të themeluar një Asociacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Për më tepër, ai thotë se implementimi i tij nuk ka alternativë.
Po ashtu, Rashiti, i cili është edhe drejtor në Balkans Policy Research Group,tha se Qeveria duhet të bëjë një plan bashkë me SHBA-në se si të dalë në fund të dialogut.
“Nga vendet e vogla, në marrëdhëniet ndërkombëtare kërkohet të luajnë mençur dhe me aleatë të fuqishëm. Qeveria duhet të ofrojë statutin për ASM-në dhe të ofrojë atë gati me rastin e marrëveshjes për normalizim të zotohet ne zbatimi në saj dhe marrëveshjeve të kaluara. Nëse gjatë negociatave vitin e ardhshëm kërkohet më shumë, atëherë Kosova duhet të studiojë mirë aranzhimet dhe rirregullimin kushtetues çfarë do të ofrojë të bëjë të këtë analiza dhe përgjigje për çdo skenar të negociatave, çka do të ndodhë me 2/3 në Kuvend etj”.
Me bërjen e statutit, bërjen e përgatitjeve për Asociacionin, Kosova fiton të gjithë faktorin ndërkombëtar në anën e saj, në prag dhe gjatë dialogut për marrëveshjen për normalizim, sipas Rashitit.
Por, a mund të pajtohet Serbia me një Asociacion që s’ka fuqi ekzekutive?
“Serbia vështirë se do të pajtohet me ASM-në. Ata e shohin ASM-në vetëm si fillimin e një procesi dhe do të kërkojnë shumë më shumë për veriun gjatë negociatave”.
Situatën e fundit të krijuar në veri të vendit, Rashiti po e sheh se rezultat i Beogradit për ta kundërshtuar propozimin e BE-së, i cili ka mbështetjen e fuqive si Franca, Gjermania e SHBA, meqë nuk po i përshtatet. Edhe pse zyrtarët e BE-së patën thënë se asnjëra palë s’e ka refuzuar këtë plan.
“Në fakt i gjithë rebelimi i Beogradit dhe largimi i serbëve nga institucionet, vendosja e barrikadave ka të bëjë me atë se Serbisë nuk po i pëlqen fare plani franko-gjerman dhe do të provojnë të kthejnë rolin e BE-së dhe faktorit ndërkombëtar në vitin 2011 në një proces të dialogut gradual e teknik e që do t’i ikte marrëveshjes për normalizim të plotë. Presidenti i Serbisë nuk dëshiron përmbylljen e dialogut”.
Ai thotë se asgjë që do të bëjë Kosova dhe faktori ndërkombëtar nuk do t’i pëlqejë Serbisë, por se e rëndësishme është që Kosova së bashku me miqtë e saj të bëjë çdo hap në ndërtim të marrëveshjes së plotë.
Rashiti rekomandon që Kosova ta kapë momentumin e mos t’i krijohet hapësirë Serbisë për të shtyrë sa më shumë marrëveshjen gjithëpërfshirëse.
“Serbia e shfrytëzoi çështjen e tabelave për t’u rebeluar, pastaj çështjen e zgjedhjeve. Këto situata ishin vetëm alibi. Prandaj, Serbia do të shfrytëzojë çdo situatë për të krijuar zhvillime të reja që kërkojnë përpjekje për menaxhim të krizave e jo zgjidhje përfundimtare. Do ta përdorë edhe qëndrimin e Prishtinës në lidhje me ASM-në për të vonuar bërjen e dialogut për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Por, në këtë rast, ka edhe mbështetjen e miqve ndërkombëtarë të Kosovës. Prandaj, i kërkohet Kosovës të fillojë punën para dialogut gjithëpërfshirës ashtu që mos të jepet alibi Serbisë. ASM edhe ashtu do të jetë pjesë e marrëveshjes finale, ishte arritur në vitin 2013 në Bruksel dhe nuk ka arsye për të refuzuar, por përpjekjet duhet të bëhen në paketimin e saj me aranzhimet e reja të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.
Analisti politik thotë se Kosova nuk duhet t’i japë asnjë alibi për vonesë të dialogut, e në veçanti asnjë alibi miqve të saj.
“Kjo bëhet duke bërë planin e negociatave së bashku me ta, në veçanti me SHBA-në”.