Tash e dy vite në çatinë e çerdhes “Yllka” në Prishtinë janë të vendosura panelet solare. Me anë të tyre brenda këtij institucioni sigurohet uji i ngrohtë.
Drejtoresha e këtij kopshti, Rifadie Sopi, shpreson që panelet e tilla solare në të ardhmen të shfrytëzohen edhe për aspektin e ndriçimit të kësaj çerdheje, e jo vetëm për ngrohjen e ujit si është tani, raporton “Ju Flet Prishtina”.
Shkolla fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë është e pajisur me panele të tilla solare, por që ndryshe prej çerdhes “Yllka”, këta nuk janë funksionale.
Sipas drejtoreshës së kësaj shkolle, Mimoza Veselaj Krasniqi, duhen më shumë mjete financiare për t’i vënë panelet solare në funksion, derisa bën të ditur se kanë biseduar me disa kompani për funksionalizimin e tyre.
Nga Komuna e Prishtinës treguan se edhe dy shkolla të tjera si ajo “Iliria” dhe “Qamil Batalli” do të kenë fatin që të pajisen me panele të tilla solare.