Lista Serbe ka reaguar pasi Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla publikoi fotografi nga pika kufitare në Bërnjak bashkë me policët e Kosovës, nga ku tha se institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me ndërkombëtarët janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.
Sipas Listës Serbe, është është një provokim i radhës i kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij.
Ata kanë kërcënuar se institucionet në Kosovë do të marrin “përgjigjen e popullit serb” nëse tentojnë të hiqen barrikadat.
“Sveçla e di shumë mirë se nuk është i mirëpritur në komunat serbe në veri të Kosovës dhe nuk ka çfarë të kërkojë në rajonet tona.
“Ne theksojmë se populli serb është i përkushtuar për paqen në këto zona dhe deklaratat e Sveçlës se ai është i gatshëm të vazhdojë të përdorë dhunën dhe të heq barrikadat me dhunë janë në favor të rëndimit të mëtejshëm të situatës. Duam të theksojmë përsëri se ne jemi të përkushtuar për paqen dhe do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe popullin tonë nga sulmet e Prishtinës, por nëse njësitë e Kurtit përpiqen të përdorin dhunën për të hequr barrikadat, ata do të marrin përgjigjen e popullit serb që e meritojnë”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.