Ministri Xhelal Sveçla e ka konfirmuar edhe vetë dështimin e shtetit, që t’u sigurojë ushqim pjesëtarëve të policisë që po vazhdojnë të qëndrojnë në veri.
Sveçla është krenuar me një lokal të Prishtinës që u ka përgatitur ushqim atyre dhe madje e pranuar se shumë biznese e familje bujare po e bëjnë të njëjtën gjë, sikur policët të ishin lypsarë dhe bizneset ta kishin për obligim të siguronin ushqim për ta e jo shteti, shkruan Demokracia.com.
“Një nga lokalet e Prishtinës, si shumë biznese e familje bujare, dje ka përgatitur ushqim për zyrtarët tanë policor që po angazhohen në veri, në mbrojtje të vendit tonë.
Darkën e kaluam së bashku me zyrtarët policor në Bërnjak të cilët, si gjithë të tjerët, me moral të lartë e me përkushtim po punojnë sipas misionit të tyre në ofrimin e sigurisë e në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë.
Ndërsa, nga qytetarët e kësaj zone që janë bllokuar nga barrikadat tash e një javë po kërkohet me ngulm heqja e barrikadave dhe vazhdimi i jetesës dhe zhvillimit pa pengesa.
Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.
Veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë duhet të kthehet sa më shpejtë në normalitet”, ka shkruar Sveçla.