Gazetari Haqif Mulliqi, ka thënë se në Zllash nuk kishte qendra ndalimi.
“Ajo që mund të them është se në një hapësirë, që i referohen si qendër e ndalimit arbitrar, është non sens, pasi flasim për dy shtëpi të vjetra aty, njëra ku ka qenë shtabi i brigadës 153 dhe një shtëpi tjetër ku kanë qenë skifterët, pas luftës që njiheshin edhe si BIA, Bahri Fazliu, Ilir Konushefci dhe Agron Rama, aty nuk ka pasur kurrfarë zone ndalimi, sepse ato kanë kuptime shumë të gjera nuk mund të kalojnë andej civilët”, ka thënë Mulliqi në Info Magazinë.
Mulliqi tha se nuk ishte rastësi që sot Serbia ia dërgoi kërkesën KFOR-it për vendosjen e ushtarëve serbë në Kosovë.
“Kjo është një kauzë e Serbisë kundër luftës çlirimtare edhe ne e kemi ditur se sa do të shpallet verdikti për Calin tonë. Dhe ata pikërisht sot e bëjnë kërkesën në formë simbolike që të kthehen ushtarët serbë në Kosovë, dhe kjo nuk është aspak rastësi”, ka shtuar ai.
Ai theksoi se më 19 prill 1999, Salih Mustafa nuk gjendej në Zllash por bënte përpjekje për ta nxjerrë atë nga Prishtina.
“Atje kapet një periudhë kohore që s’mund të argumentojë gjërat me të cilat ngarkohet Cali, 1 prill 19 prill. 19 prilli është se atëherë ka nisur ofensiva serbe në zonën e Gollakut, në zonën e veprimit të brigadës 153 të UÇK-së, ndërkaq ajo që mund ta them është se deri më 12,13,14 prill 1999, prej që më kishte zatetur lufta në Prishtinë, Cali me një grup të djemve nuk kishte qenë në Zllash, por ka bërë përpjekje për të më nxjerrë mua nga Prishtina dhe në fund ia ka arritur”, ka thënë ai.