Shqiptimi i gjobave për shoferët që thyejnë rregullat në trafik bëhen shpesh herë shkas që qytetarët të revoltohen dhe të bëjnë veprime agresive ndaj zyrtarëve policorë. Përpos ofendimeve, ata eskalojnë edhe në kërcënime, duke ua vështirësuar kryerjen e detyrave, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe dje në rrugën ‘Luan Haradinaj’ në Deçan, ku një person dyshohet se ka kërcënuar disa zyrtarë policorë që po patrullonin në atë zonë.
Sinjali mëson se sebep për revoltimin e deçanasit u bë gjoba e shqiptuar nga policët, për mos vendosjen e rripit të sigurisë.
47-vjeçari dyshohet t’i ketë kërcënuar me jetë zyrtarët policorë, duke u thënë se do i vrasë e do i zhduk.
Ai është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kanosje’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.