Avokati i familjes së të moshuarës që është sulmuar fizikisht nga infermieret në Pejë, bëri të ditur se sipas raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, e moshuara është djegur-përvëluar në këmbë brenda shtëpisë “Orenda”.
Ai për KosovaPress deklaroi se për plagën në shputën e këmbës së të moshuarës, që nga fillimi kanë dyshuar që është djegie, por siç potencoi ai, është kundërshtuar nga “Orenda”. Sipas tij, nga shtëpia e të moshuarve është mohuar një gjë e tillë, duke thënë se e moshuara ka sëmundje dhe se nuk është djegie.
Avokati potencoi se nga konstatimet e bëra të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, janë vërtetur pretendimet se bëhet fjalë për djegie lëkurore në këmbën e majtë të të dëmtuarës, “përkatësisht përvëlim të shkaktuar si pasojë e veprimit lokal termik të temperaturës së lartë, siç mund të jenë lëngjet e nxehura, dëmtime këto të konstatuara dhe trajtuara më datën 04.11.2022 dhe 08.11.2022, e të cilat vërtetohet se janë shkaktuar rreth 7-14 ditë më përpara”.
Avokati i familjes së të moshuarës, shtoi se gjithashtu janë konstatuar gjakmbledhje nënlëkurore, gërvishje dhe dermishje lëkurore, të shkaktuara nga veprimit mekanik i mjetit të fortë ose përplasjes së trupit në ndonjë objekt të fortë.