Presidentja e tanishme e Kosovës, Vjosa Osmani, sa ishte në opozitë kishte luajtur me ndjenjat e mbi 1 mijë e 700 familjeve të të pagjeturve në Kosovë.
Por, kjo çështje u harrua kur erdhën në pushtet ajo dhe partneri i saj qeverisës, Albin Kurti.
Lëre që taksa u hoq, por familjarët e të zhdukurve ende jetojnë në ankth, në pritje për baballarët, bijtë dhe bijat e tyre të zhdukura, shkruan Demokracia.com.
Në një nga deklaratat e saj gjatë fushatës zgjedhore, Vjosa Osmani kishte përmendur heqjen e taksës nëse Serbia do të sillte në tryezën e dialogut informacione mbi të pagjeturit.
“Masa e reciprocitetit është një masë shumë e gjerë, politike dhe ekonomike. Pra, jo vetëm çështje tarifore. Mirëpo, ajo që kam thënë është se për Kosovën sot, informacioni se ku gjenden eshtrat e gati 1.700 të pagjeturve, shumica prej të cilëve shqiptarë, por edhe qytetarë të komuniteteve të tjera, është vlera më e madhe që do të mund të nxirrnim nga procesi i dialogut. Kështu që, në qoftë se Serbia do t’i sillte këto informacione dhe jam e bindur që ajo i ka ato, unë nuk do të hezitoja aspak që tarifa të hiqej”, kishte përfunduar intervistën e saj Vjosa Osmani, asokohe si kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte hequr taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës më 27 shkurt të vitit 2020, kur Vjosa Osmani në të njëjtin muaj ishte zgjedhur Kryetare e Kuvendit.