Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkel Marrëveshjen e Uashingtonit.
Më 15 dhjetor, Kosova zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ne do t’i përgjigjemi të gjitha këtyre sonte, pas mbledhjes së Qeverisë. Ne po ashtu do të marrim përgjigje sa i përket kërkesës sonë lidhur me Rezolutën 1244, por edhe për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga shumë shtete”, tha Vuçiq për gazetarët më 15 dhjetor, gjatë një vizite në kufirin midis Serbisë dhe Hungarisë.
Marrëveshja e Uashingtonit, të cilës i referohet Vuçiqit, veç tjerash, parashihte një moratorium njëvjeçar për Kosovën dhe Serbinë. Kosova ishte zotuar se për një vit nuk do të aplikonte për anëtarësim në institucione e organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbia të ndalte fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Në përvjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes, Departamenti amerikan i Shtetit inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë memorandumin.
Vuçiq tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE shkel nenin 49 të Traktatit të BE-së.
“Kushti për të qenë në gjendje për të aplikuar për anëtarësim në BE është që të jesh shtet evropian. Nuk e di se çfarë kriteri përdoret për të përcaktuar se çfarë nënkuptojmë me të qenët shtet, a i referohet një shteti të BE-së apo të gjitha shteteve të BE-së, apo anëtarësimit në Kombet e Bashkuara”, tha Vuçiq.