Deputeti i Lidhjes Demokratiket të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se në buxhet nuk janë të reflektuar as premtimet e dhëna nga Qeveria.
Ai ka thënë se sipas tij, ky projektligj, mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Kemi pritur që gjatë dy diskutimeve t’i reflektojmë disa anomali substanciale që i ka ligji, duke filluar nga e para. Ligji në pjesën tekstuale është antikushtetues. I kemi dhënë argumentet tona, është bërë një analizë nga Kuvendi dhe ministri as nuk ka dashur të dëgjojë. Sot Kuvendi mund ta votojë një Ligj që mund të përfundojë direkt në Gjykatën Kushtetuese sepse nuk mundeni që mjetet vetanake të Prishtinës, që mblidhen nga tatimi në pronë në ‘Dardani’ apo ‘Ulpianë’ të përdoret për një rrugë në Mitrovicë apo Gjilan”, ka thënë Hoti.
Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca i ka reaguar Hotit, duke i thënë se mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për buxhetin.
“Kadal, kadal, se mujna me gjetë gjuhë të përbashkët, Munët mu bo nji kompromis i mirë për këtë buxhet.” I ka thënë Konjufca.
Menjëherë i ka replikuar Hoti, duke i thënë se Kryetari i Kuvendit nuk duhet të komentojë fjalimet e deputetëve, por të ndihmojë në amandamentimin e neneve antikushtetuese.